Zhvillimi i bujqësisë – Musabelliu: Projektet të certifikohen fillimisht nga UBT
Përgatitja e kadastrës dixhitale për tokën bujqësore mund të realizohet me kontributin e Universitetit Bujqësor. Ky i fundit është i gatshëm që të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë për të dhënë kontributin e vet në plotësimin dhe realizimin e një sërë standardesh që do të ndihmojnë jo vetëm fermerët por edhe vetë sektorin.
Sipas rektorit të Universitetit Bujqësor duhet që të gjitha projektet që aplikojnë për fonde në sektorin bujqësor të certifikohen më parë nga ky universitet në bazë edhe të hartës së nevojave që ka sektori.
“Së pari ne përballemi në realitetin tonë me një mungesë të theksuar të kapaciteteve thithëse të investimeve qofshin këto të qeverisë shqiptare, qofshin këto të donatorëve të huaj dhe ne jemi këtu dhe kërkojmë që universiteti të ketë një kontribut të qenësishëm në këtë drejtim. Momenti i dytë lidhet me çështjet që kanë të bëjnë me pronësinë e tokës. Nuk them ndonjë gjë të re, duke sjellë në vëmendje se n% Shqipëri ka më shumë se 2 milionë ngastra, aty janë shënuara 1 milion e 500 mijë etj, etj,. Por këto krijojnë pamundësi të zhvillimit të bujqësisë në vend, duke konsideruar që bujqësia ka qenë dhe mbetet aktiviteti kryesor në këtë vend. Problemi i tretë lidhet me teknologjitë e prodhimit”, u shpreh rektori Bahri Musabelliu, rektor i UBT-së
Në vendin tonë bujqësia siguron afërsisht 21% të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në këtë sektor ëshët e punësuar rreth 47% e popullsisë. Në një kohë kur mbështetja për fermerët ëshët 7 -10 herë me e vogël se ajo e vendeve të rajonit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.