Zhvillimi i ndërtimit, BSH: Sektori me rritje gjatë këtij viti
Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017.
Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.
Kjo është analiza që Banka e Shqipërisë I bën këtij sektori, sipas së cilës, përshpejtoi ecurinë rritëse gjatë tremujorit të parë të vitit 2017. Vlera e shtuar e sektorit u zgjerua me një ritëm të lartë vjetor, rreth 14.1%, në vijim të ritmeve pozitive të tremujorit të mëparshëm, thuhet në raportin e BSH-së.
Zhvillimet e sektorit u ndikuan kryesisht nga realizimi i punimeve inxhinierike dhe nga kategoria e ndërtimeve të reja. Rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.
Sipas analizës së specialistëve të BSH, gjatë kësaj periudhe ka patur rritje të shitjes së apartamenteve, pasi rënia e euros në tregun vendas ka ndikuar në uljen e çmimit të banesave.
Gjithashtu vlerësohet, se vazhdimi i projektit për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe rritja e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte vlerësohet të kenë pasur efekt pozitiv në performancën e sektorit ndërtues.
Por sipas analizës së institucionit më të lartë financiar në vend, një dinamikë të ngjashme të aktivitetit ndërtues paraqesin edhe të dhënat e indeksit të shitjeve neto në vëllim dhe vëllimit të prodhimit në këtë sektor.
Më konkretisht, në tremujorin në analize treguesi i shitjeve neto në vëllim për ndërtimin u rrit me 13.6% në terma vjetorë nga 7.2% në tremujorin e mëparshëm, ndërsa vëllimi i prodhimit u zgjerua me 24.2% nga 7.5% në fundin e vitit 2016.
Zgjerimi i vëllimit të prodhimit në ndërtim i atribuohet në masën më të madhe kategorisë së punimeve inxhinierike dhe ndërtimeve të reja. Edhe ecuria e kategorisë së lidhur me rikonstruksionet rezultoi pozitive.
Në tremujorin e parë të vitit 2017, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit shënoi rritje vjetore për ndërtesat për banim.
Ndërkohë, numri i lejeve të ndërtimit të akorduara në total ishte 101 nga 147 leje të miratuara një tremujor më parë, një numër ky më i lartë krahasuar me lejet e akorduara të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërsa referuar të dhënave paraprake të shpenzimeve kapitale të pushtetit qendror, ato shënuan rritje të lartë edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.