Zhvillimi i produkteve tradicionale – Klosi në Belsh: Mbështetje financiare deri në 20 milion lekë, aplikoni
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka vizituar panairin Lokal të Belshit, ku është njohur me prodhimet e zonës ndër të cilat edhe bima e shafranit. Gjatë takimit më banorët, ministri u ka bërë thirrje që të aplikojnë për mbështetje financiare nga fondet shtetërore të agroturizmit. Mbështetja financiare shkon deri në 20 milion lekë për çdo përfitues dhe e marrin ata që zhvillojnë një produkt tradicional shqiptar, apo ngrenë struktura turistike me karakteristika lokale.
“Të kemi mundësi që politikat tona për agrotuzimin, me lehtësirat fiskale për ata që duan të ndërtojnë hotele me një numër të konsiderueshëm dhomash por jo më tepër sesa 30 dhoma, për të mos qenë mbi kapacitetet standarde të agroturizmit, ata që do të kenë një fermë që do të punojnë me produktet e tyre të brendshme ata që do të kenë një restorant apo pikë kulinarie e cila shërben për turizmin, do të marrin statusin e agroturizmit dhe më pastaj ky status do ta ndihmojë me politika fiskale, me politikat mbështetëse nga programet qeveritare për tu shndërruar në një destinacion jo vetëm turistik, por për t’u shndërruar edhe në një fabrikë ku njerëzit punojnë më shumë, në një fabrikë idesh, në një fabrikë që prodhon e konsumon produkt 100 për 100 shqiptar”, tha Klosi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se pas Rilindjes Urbane që e ka shndërruar bashkinë e Belshit në një bashki europiane, programi “100 fshatrat turistikë” do të rikthejë vëmendjen te fshati. Politikat për agroturizmin, do të bëjnë të mundur që fshatrat me pasuri natyrore, historike dhe tradita në prodhime shqiptare, të zhvillojnë ekonominë lokale.
“Investimi i bërë në bashkinë e Belshit e ka transformuar atë në një bashki realisht të bukur europiane, por ne kemi nevojë që të rikthejmë vëmendjen shumë më tepër edhe nga fshati. Prandaj Rilindja Rurale me projektet e saj të “100 fshatrave” ka marrë një zhvillim të madh duke u përpjekur që në 100 fshatrat e parë, një nga të cilët është fshati që ne vizituam të jenë si magnete për të ndërtuar një politikë të ngjashme edhe në fshatra të tjerë; pra kush janë ato zona komunitare që prodhojnë histori, dhe fshati Deferan ka historinë e vjetër përsa i përket zbulimeve arkeologjike, ka bukurinë natyrore ka njerëzit e shkëlqyer që janë futur në biznesin e agroturzimit me guxim dhe sot ka mundësitë që të shndërrohet në një nga pikat më të bukura të qarkut të Elbasanit dhe të jetë një nga pikat më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.