Zhvillimi i sektorit të peshkimit – Bashkimi Europian, 3.4 milionë euro grante për Shqipërinë
Me qëllimin për të rritur kontributin e sektorit të peshkimit në zhvillimin ekonomik të vendit, Bashkimi Europian ka hapur thirrjen për grante për të gjithë institucionet, departamentet dhe autoritetet publike e shtetërore.
Shuma e vënë në dispozicion për këtë thirrje është 3.4 milionë euro nga ku 1.9 milionë euro duhet të shkojnë për asistencë teknike, 100 mijë euro për furnizime për administratën e peshkimit dhe 1.4 milionë euro për zbatimin e skemës së granteve.
Skema e granteve për investime ndaj flotës së peshkimit do të luajë një rol të rëndësishëm për të rritur eficiencën e saj. Përmes granteve të vogla, peshkatarët do të kenë mundësi të përmirësojnë elementë të ndryshëm si sistemet e navigimit, sigurimi i ushqimeve (frigoriferë), përmirësimi i pajisjeve për peshkimin si dhe në uljen e ndotjes.
Grantet për individët do të jepen përmes një pale të tretë që do të përfitojë nga fondet e BE dhe do të jenë të limituara në 60 mijë euro. Këto grante nuk duhet të mbulojnë më shumë se 50% të vlerës së investimit.
Të gjitha institucionet publike kanë afat deri më 11 Shtator për të aplikuar për këtë thirrje të BE.
Peshkimi në vend përfaqëson një sektor të rëndësishëm social-ekonomik dhe vlerësohet të ketë një potencial të madh ende të pashfrytëzuar.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Flotës, la 592 peshkarexha të licencuara dhe punëson me kohë të plotë 4215 persona.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.