Zhvillimi i tregjeve financiare – AMF prezanton strategjinë 2018-2022
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi strategjinë e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje për periudhën 2018-2022. Kryetari Bordit Drejtues, Pajtim Melani, tha se tregjet e mbikëqyrur nga AMF po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë brenda tregut financiar dhe tashmë përbëjnë mbi 10% të aktiveve të tij. Zoti Melani nënvizoi hapjen e Bursës Shqiptare të Titujve, si një zhvillim madhor dhe me rëndësi të madhe për të çuar më tej tregun financiar në vend.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, tha se zhvillimi i tregjeve financiare është i domosdoshëm për ta ngjitur rritjen ekonomike mbi kufirin prej 5%, të synuar nga qeveria shqiptare. Megjithëse në prezantimin e strategjisë ishte njoftuar pjesëmarrja e ministrave Arben Ahmetaj dhe Sonila Qato, asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm.
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, tha se sistemi financiar është promotor i ofertës në ekonomi, duke mbështetur projektet e reja dhe inovacionin. Ajo shtoi se institucionet jo banka, duke filluar nga fondet e pensioneve private, duhet të konkurrojnë më shumë me bankat, për t’i dhënë një zgjerim të shëndetshëm tregut financiar në vend.
Strategjia e prezantuar nga AMF vendos një theks të fortë në stabilizimin e tregjeve dhe rritjen e besueshmërisë së konsumatorit, në veçanti te tregu i sigurimeve. Sipas AMF, këta elementë janë parakusht për të projektuar më tej shtyllat e zhvillimit dhe promovimit të tregjeve financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.