Zhvillimi i tregut minerar – Hapet gara konkurruese për 4 zona, përfshihet edhe kërkim-zbulimi i kromit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur garën konkurruese për leje në 4 zona të ndryshme minerare, duke synuar zgjerimin e këtij tregu. Dokumentet e kompanive të interesuara mund të dorëzohen deri në datën 11 maj të këtij viti, ndërkohë që gara është e hapur për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj. Referuar të dhënave, një prej zonave minerare konkurruese ndodhet në Qarkun e Dibrës, ndërsa lloji i veprimtarisë përfshin kërkim-zbulimin e kromit.
Hapja e kësaj gare merr një rëndësi të veçantë për sektorin, pasi vetë autoritetet kanë pranuar se prej më shumë se 7 vitesh në vendin tonë nuk kryhen operacione të reja për zbulime të reja të këtij minerali. Ndërsa paralelisht në vitin 2018 u dha alarmi se rezervat e njohura të kromit pritet të mbarojnë brenda 8 vitesh, ndërsa industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.
Pas bërjes publike të kësaj problematike, autoritetet dhanë 2 leje për këkrim-zbulimin e këtij minerali, duke u bazuar në planin 3-vjeçar të 2019-2021 të sektorit minerar, i cili ndër të tjera parashikon zhvillimin e aktivitetetit të kërkim-zbulimit në 132 zona minerare, kryesisht për mineralin e kromit, por edhe të bakrit apo arit. Megjithatë, ky sektor është konsideruar si një nga më të goditurit nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, teksa, së fundmi parlamenti miratoi përjashtimin e kromit dhe bakrit të përpunuar nga renta minerare, për një periudhë 3-vjeçare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.