Zhvillimi i turizmit me barka, Topuzi: I pasigurt pasi s’ka licenca, të ngrihet agjenci certifikimi
Turizmi me barka në vendin tonë është një prej industrive më interesante mes vendeve të rajonit, por aktualisht mbetemi në nivelet e iniciativave personale, çka e bën atë të pasigurt për shkak të mungesës së licencimit”.
Vlerësimi vjen nga kreu i Shoqata Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, i cili thotë për TV SCAN se është e nevojshme ngritja e një agjencie, që të bëjë të mundur certifikimin e tyre.
“Mendoj se është një nga industritë interesante që ka dhe rajoni dhe Shqipëria. Gjatë bregdetit të jugut, por edhe gjithë bregdetit të saj, gati 400 kilometra ofron plazhe interesante të cilat janë të vizitueshëm. Ka ardhur koha që vitin tjetër të kthehet në një produkt të rëndësishëm turistik, të hapen agjenci të cilat të ofrojnë këtë shërbim kundrejt licencimit, kundrejt certifikimit të paketave të palëve të tretë janë të domosdoshme. Dhe mos mbetet në rangun e një turizmi thjesht kush ka një varkë aty në breg që jep një çmim sipas dëshirës. Asnjëri nuk e di se çfarë ofron ajo varkë e cila, është apo nuk është e licencuar. Shpresojmë që me bukuritë që ka Shqipëria, ky të bëhet një biznes intrigues”.
Sipas Topuzit është i domosdoshëm edhe një ligj i qëndrueshëm që të rregullojë këtë sektor, pasi aktualisht kemi vetëm vendimmarrje fakultative që merren para nisjes së sezonit turistik.
“Thjesht do një ligj të qëndrueshëm i cili të mos jetë funksional në momentet e fillimit të plazhit, kur një biznes nuk mund të bëhet dot gati, port ë jetë një licencim i gjatë, i cili ta ofrojë këtë lloj shërbimi”.
Sipas kreut të shoqatës së turizmit rregullimi sinjalistika në drejtimit të turizmit me barka është një masë me kosto të ulët, që garanton siguri edhe për pushuesit.
Ndërkohë që, me rëndësi është edhe puna e pushtetit vendor, në drejtim të përgatitjes së biznesit për këtë shërbim.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.