Zhvillimi i turizmit – Ministria harton listën me 365 masa për sezonin e ardhshëm
Listimi dhe korrigjimi i problematikave të hasura gjatë sezonit turistik ishte edhe fokusi i takimit të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, me agjencitë turistike shqiptare dhe përfaqësues të tjerë të biznesit të turizmit. Sipas Klosit, rritja me 44% e turistëve gjatë muajit shtator dëshmon se vendi ka mundësi për turizëm më të mirë vitin e ardhshëm.
“Rritja me 34 % në janar, 27% në gusht apo 44% në shtator dëshmon të dyja anët e medaljes, e para që kemi pasur mundësi që të ecim shumë mirë dhe e dyta sesa shumë mundësi të tjera kemi ne që të kemi një sfidë të vërtetë në turizmin shqiptar. Ne arritëm të ndërtonim task forcën në të gjitha qarqet e Shqipërisë, të ngrinim listën e madhe të problemeve për të kuptuar problemet. Ne së bashku me përfaqësuesit e task forcës, me të gjitha institucionet qendrore që nga forcat e rendit, përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë, të Bujqësisë, Kulturës dhe shumë aktorë të tjerë ja dolëm për të punuar për standardet e turizmit këtë vit në Shqipëri”, tha Klosi.
Ndërkohë, shtoi më tej se skema e re për zhvillimin e sektorit përfshin një listë me 365 masa që do të shërbejnë për të ndërtuar 4 shtyllat e turizmit për vitin e ardhshëm. Bashkëbisedimi me aktorët e turizmit ishte pjesa e parë e Konferencës Kombëtare të Turizmit, ndërkohë që i dyti është konceptuar për të prezantuar 365 masat e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në 365 ditët e vitit të ardhshëm turistik, 2019.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.