Zhvillimi i turizmit në Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër – BERZH, studim për tregun dhe potencialin
Shqipëria do të asistohet me një kredi prej 60 milionë eurosh nga BERZH për zhvillimin e turizmit në 4 bashki të vendit, konkretisht ato të Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës.
Fondi do të përdoret për të financuar nënprojekte të infrastrukturës në transport, të cilat mundësojnë zhvillimin e turizmit, por edhe për projekte të përgjithshme të bashkive për sa kohë që shërbejnë për promovimin e këtij sektori.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjithashtu do të ofrojë një linjë krediti për bankat tregtare deri në 10 milionë euro, në mënyrë që të mbështesë bizneset private që operojnë në sektorin e turizmit, brenda bashkive të përcaktuara.
Programi i BERZH është ende në fazat e para dhe për këtë arsye, banka po kërkon edhe një konsulent që të studiojë tregun e turizmit dhe potencialin e 4 bashkive, duke përcaktuar zona ku duhet ndërhyrje dhe kriteret e përzgjedhjes për nënprojektet.
Detyra e konsulentit do të zgjasë 4 javë dhe pritet të nisë brenda vitit. Ekipi i konsulentit duhet të ketë në përbërje të paktën 5 ekspertë kyç, të specializuar në fusha nga turizmi në Ballkanin Perëndimor, e deri tek zhvillimi ekonomik, trashëgimia kulturore dhe infrastruktura.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.