Zhvillohet takimi III, donatorët e bujqësisë konfirmojnë mbështetjen për Shqipërinë. Diskutohet impakti i investimeve
“Mbështetja e donatorëve për bujqësinë shqiptare vazhdon, ndërkohë që intensifikohen takimet dhe diskutimet mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj në lidhje me impaktin e këtyre investimeve”.
Kështu thuhet në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë, kur raportohet mbi një takim të zv.ministrit Roni Telegrafi me donatorët. Takimi i tretë i partnerëve donatorë të sektorit të bujqësisë, nën drejtimin e zv.ministrit u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, si dhe merrnin pjesë donatorë si Liam Briesli, Drejtor i IPARD në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian, përfaqësues të USAID, të BB-së, GIZ, BERZH, Delegacionit të BE, FAO dhe pjesëtarë të trupit diplomatik në Tiranë.
Gjatë takimit u diskutuan projektet aktuale në bujqësi, të financuara nga këta donatorë, ndërkohë që u vlerësua impakti i tyre, si dhe u konsideruan mundësitë për projektet e ardhshme.
Zv.ministri Telegrafi i falenderoi pjesëmarrësit në këtë takim për kontributin dhe asistencën e tyre, si dhe i siguroi ata për vazhdimësinë e marrëdhënieve miqësore dhe të frytshme me Ministrinë e Bujqësisë.
Takimi me donatorët u zhvillua pas takimit të Komitetit të Monitorimit të IPARD II, i cili konsiderohet një hap shumë i rëndësishëm për fillimin e zbatimit të programit, si një nga instrumentet kryesor të sektorit bujqësor dhe të zhvillimit rural.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.