Zhvlerësimi i euros – Sejko: Nuk ka lidhje me deeuroizimin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi edhe njëherë të mërkurën se zhvlerësimi i euros kundrejt lekut nuk ka lidhje me strategjinë e deeuroizimit. Në deklaratën pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Sejko tha se forcimi i lekut gjatë dy muajve të fundit është pasojë e faktorëve specifikë të tregut valutor dhe pritet të jetë afatshkurtër. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky zhvlerësim është vazhdimi i një tendence afatmesme, që lidhet me ofertën e lartë të euros në tregun valutor dhe me uljen e rreziqeve në tregun e brendshëm financiar.
“Banka e Shqipërisë konstaton se trendi afatmesëm i forcimit të kursit të këmbimit, i nisur prej gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, pasqyron veprimin e faktorëve fondamentalë. Këta faktorë janë materializuar në rritje të ofertës së valutës, si pasojë e përmirësimit të deficitit të llogarisë korrente, e niveleve të larta të investimeve të huaja direkte dhe e uljes së primeve të rrezikut në tregun e brendshëm financiar. Nga ana tjetër, forcimi relativisht i shpejtë i kursit të këmbimit gjatë dy muajve të fundit ka pasqyruar veprimin e faktorëve specifikë të tregut valutor. Kjo ecuri nuk pasqyron efektet direkte dhe as objektivat e strategjisë sonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare. Si e tillë, ajo pritet dhe vlerësohet të jetë afatshkurtër”, u shpreh Sejko.
Guvernatori Sejko përsëriti sërish apelin ndaj sistemit bankar për të treguar më shumë fleksibilitet në kreditimin e ekonomisë.
“Sektori bankar vazhdon të regjistrojë nivele të përshtatshme dhe në përmirësim të treguesve të cilësisë së aktiveve, të likuiditetit, të rentabilitetit dhe të kapitalizimit. Kredia për ekonominë u rrit mesatarisht me 3.3% gjatë tremujorit të parë të vitit, e ushqyer në masën më të madhe nga rritja me 7% e portofolit të kredisë në lekë. Banka e Shqipërisë konstaton se rritja e pritur e nevojave për financim duhet të shoqërohet me politika më realiste dhe fleksibile kreditimi nga sektori bankar, në mënyrë që të mos kushtëzojë dinamikat e zhvillimit në të ardhmen”, u shpreh Guvernatori i BSH.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25%. Në analizat e fundit, Këshilli Mbikëqyrës ka arritur në përfundimin se arritja e objektivit të inflacionit do të kërkojë zgjatjen në kohë të politikës monetare stimuluese. Në një orientim për tregun financiar, Guvernatori Sejko tha se norma bazë e interesit nuk do të rritet para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.
“Krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se përmbushja e objektivit të inflacionit do të kërkojë një politikë monetare më akomoduese në afatin e mesëm. Në bazë të informacionit aktual të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019”, tha Sejko.
Krahasuar me sinjalet e mëparshme, Banka e Shqipërisë e ka zgjatur edhe me dy tremujorë kohën e parashikuar për mbajtjen e normës bazë të interesit në nivelin aktual. Kjo lidhet edhe me rritjen më të ngadaltë të inflacionit krahasuar me parashikimet e mëparshme. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda vitit 2019.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.