“Zhytet” industria gjermane – Bie kërkesa e jashtme për “Made in Germany”
Porositë për mallrat industrialë gjermanë ranë me normën më të shpejtë në 2 vite gjatë muajit Shkurt, ndërkohë që kishte një ngadalësim të kërkesës së jashtme. Kjo shtoi shqetësimet për ekonominë më të madhe të Europës. Kontratat për mallrat “made in Germany” ranë me 4.2%, sipas të dhënave të ministrisë së Ekonomisë, duke ndjekur një rënie me 2.1% në Janar. Kjo ishte dhe rënia më e madhe që prej Janarit 2017.
Analistët thonë se industria gjermane po vuan nga Brexit dhe pasiguritë botërore. Shqetësimet në sektorin e manifakturës po zbehin perspektivën për ekonominë gjermane, që përballet me goditje nga ngadalësimi i ekonomisë botërore, konfliktet tregtare dhe kërcënimi i daljes së Britanisë pa marrëveshje.
“Në muajt e ardhshëm pritet një ngadalësim i industrisë, për shkak të kërkesës së jashtme”, deklaroi ministria. Të dhënat treguan se porositë e jashtme ranë me 6% në Shkurt, kryesisht jashtë vendeve të Eurozonës. Institutet kryesore ekonomikë gjermanë ulën projeksionet e rritjes në 0.8% këtë vit, nga 1.9% që prisnin më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.