Zjarret, emergjencat civile bëjnë bilancin – Rama: U sfiduan edhe vendet e zhvilluara, do përmirësojmë më tej sistemet e mbrojtjes
Nga baza ajrore në Farkë kryeministri Edi Rama ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Forcat e Armatosura për përballimin e situatës së zjarreve me sakrificë dhe përkushtim, ndërkohë që një falënderim i veçantë shkoi për Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët, sipas tij, kanë reaguar si qytetarë shqiptarë lidhur me këtë emergjencë, dhe jo si përfaqësues diplomatikë.
Ai e quajti gushtin që sapo lamë pas, muajin e zjarreve, të cilat vunë në vështirësi jo vetëm Shqipërinë, por edhe fqinjët tanë. Situatë që u përballua falë reformave që janë ndërmarrë në emër të mbrojtjes civile, por që kanë nevojë të çohen edhe më përpara.
Kreu I emergjencave civile bëri një përmbledhje të situatës së shkaktuar nga zjarret gjatë gushtit, duke raportuar se janë djegur rreth 33 mijë hektarë kullota e shkurre, si dhe 14 mijë rrënjë ullinj e pemëtari.
Zjarret u shtrinë gjatë muajit gusht në disa pjesë të territorit, ku më problematiket ishin në Gadishullin e Karaburunit, në Parkun e Llogorasë, apo pranë tunelit të Thirrës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.