Zjarret në pyje e kullota-Policia nis prangosjet dhe procedimet penale!
Policia e Shtetit njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F.N, 46 vjeç, banues në Ballsh.
“Ky shtetas në datën 30.03.2019, në tokën e tij ka vënë zjarr duke djegur disa shkurre të cilat më pas kanë sjellë djegien e një masivi pyjor, pronë e fondit pyjor të Bashkisë Mallakastër, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm në pemë të llojit pisha dhe ullinj të një sipërfaqe prej 1 Ha.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E.N, 14 vjeç, banues në Ballsh. Procedimi për këtë shtetas filloi pasi në vendin e quajtur “Kodra” në Lavdan , duke djegur disa shkurre, i ka dalë zjarri jashtë kontrollit dhe është djegur rreth 1 Ha tokë me ullinj, pemë të ndryshme dhe shkurre” njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr nga pakujdesia i pyjeve dhe masivit pyjor “.
Po ashtu, edhe një ditë më parë strukturat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër kanë proceduar penalisht 3 shtetas për zjarret në pyje.
Shërbime e Policisë të Komisariatit të Policisë Mat evidentuan dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit S.T, dhe A.S, 17 dhe 16 vjeç, banues në Burrel (autorë të dyshuar të zjarrit në zonën e Kongrazhdit, njësia Administrative Komsi, Mat)
“Këta persona në zonën e Kongrazhdit, Njësia Administrative Komsi, Bashkia Mat, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, nga pakujdesia duke djegur ferra e mbeturina, zjarri ka dalë nga kontrolli si pasojë e erës së fortë duke përfshirë dhe djegur sipërfaqje të konsiderueshme pyjore.
Gjithashtu po në kuadër të masave parandaluese , shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë evidentuar dhe proceduar penalisht shtetasin H.Z, 43 vjeç, banues në Bulqizë (autor i dyshuar i zjarrit pranë aksit nacional Fushë-Bulqizë). Ky shtetas nga pakujdesia duke djegur mbeturinat në fund të kopështit të tij, zjarri ka dalë nga kontrolli nga era duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të pyllit anës rrugës nacionale Fushë Bulqizë” njofton Policia.
Kohët e fundit në vend ka pasur vatra të shumta zjarri që kanë ardhur si rrjedhojë e pastrimit me djegie të tokave buqësore apo çeljes së kullotave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.