Zjarret në Vlorë dhe Sarandë – Arrestohen 2 shtetas. Në 4 ditë Policia procedon penalisht 15 persona
Në katër ditët e fundit, Policia e Shtetit njofton se ka proceduar 15 persona për zjarrvënie, të cilët do të përballen me drejtësinë.
Sipas njoftimit në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin G.M, 41 vjeç, banues në fshatin Tragjas pasi ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe 1500 m2 me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj, në Tragjas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë njoftojnë se arrestuan në flagrancë shtetasin Sh.L., 23 vjeç, banues në Sarandë pasi ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe kullosore në fshatin Shelegar.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin!
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm!
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.