Zoran Zaev në Bruksel: Maqedonia do të ndërmarrë hapa për integrimin në BE
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ndodhet për vizitë në Bruksel, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ndërsa në mesditë zhvilloi takim edhe me eurokomisionerin Johannes Hahn. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hahn kujtoi se Maqedonia ka shansin e vetëm për të kaluar pengesat e deritanishme me qëllim fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Sipas Hahn, tashme është e nevojshme që vendi të fokusohet në reforma, ndërsa për zbatimin e tyre është i nevojshëm bashkëpunimi i ekzekutivit me opozitën dhe sektorin joqeveritar.
“Qeveria dhe opozita duhet patjetër të punojnë me qëllim zbatimin e reformave. Na nevojitet konsensus kombëtar në integrimin evropian, përjashtim linjave politike dhe etnike. Komisioni është i gatshëm të mbështesë vendin në çfarëdo forme. Dua të theksoj rëndësinë e përmbushjes së pikave në tërësi nga marrëveshja e Përzhinos dhe nevojën e reformave urgjente. Të gjithë jemi të gatshëm të mbështesim vendin tuaj në qëllimin që keni”, deklaroi Johannes Hahn.
Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev tha se përfaqësuesit e lartë evropianë i ka njoftuar nga afër me hapat që Qeveria e re do të ndërmarrë, reformat dhe aktivitetet për fqinjësi të mirë.
“U pajtuam se Maqedonia ashtu si vendet tjera të Ballkanit janë partnerë të BE-së dhe se tashmë na duhet mbështetje si asnjëherë më parë rreth hapave dhe lëvizjeve drejtë integrimit në BE. Për ne, anëtarësimi në BE nuk ka alternativë dhe se është cilësi strategjike dhe parësore e vendit. Është koha e fundit kur proceset duhet të ecin para” tha Zoran Zaev, Kryeministër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.