Zuckerberg mbron Facebook në Kongresin amerikan – Vlera në bursë rritet me 4.5%
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, dëshmoi ditën e martë para Kongresit në SHBA, pas skandalit të fundit të shitjes së të dhënave të përdoruesve nga Cambridge Analytica.
Zuckerberg mbrojti vlerat e rrjetit social dhe u zotua të korrigjonte gabimet e tij, ndërsa senatorët vunë në dyshim faktin nëse ai do t’ia dalë të mbrojë privatësinë e përdoruesve pas vitesh të tëra premtimesh të pambajtura.
Politikëbërësit amerikanë kërkuan një rregullore më të rreptë që duhet të ndiqet nga rrjetet sociale, ndërsa themeluesi i Facebook u shpreh se kompania e tij do të propozonte disa rregulla që i duken të përshtatshme.
Zuckerberg, i cili ndryshe nga fotoja e tij e profilit, u shfaq para politikanëve serioz, i zbehtë dhe i veshur me kostum dhe kollare, iu përgjigj edhe pyetjeve që lidhen me “lajmet e rreme” dhe identifikimin e grupeve që shpërndajnë përmbajtje me bazë urrejtjeje.
“Një nga pengjet e mia më të mëdha në drejtimin e kompanisë është se ishim të ngadaltë në identifikimin e operatorëve rusë të informacionit. Kompania ka bllokuar dhjetëra mijëra llogari false me ndihmën e mjeteve të inteligjencës artificiale, por shtrëngimi i politikave për Facebook nuk do të jetë i lehtë, pasi aftësia e IA për të identifikuar dallimin midis debatit politik dhe fjalimeve të urrejtjes është 5 deri në 10 vite larg”, tha Zuckerberg.
Pavarësisht se fjalët e CEO-s së Facebook u pritën në mënyrë dyshuese nga senatorët, reagimi në bursa ishte mjaft pozitiv. Vlera e kompanisë në bursën e Nju Jorkut u mbyll në rritje me 4.5%, çka përbën ditën më të mirë për kompaninë në dy vitet e fundit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.