Zv.Ministrja për emisionin PASSPORT, Kuko: metodologjia re e BE presim zhvillime pozitive, gati struktura e re antikorrupsion
Zëvëndësministrja e Brendshme Romina Kuko, duke folur në Bruksel për emisionin PASSPORT, foli për metodologjinë e re të integrimit në BE dhe operacionin forca e ligjit. Zonja Kuko paralajmëron se paralelisht me OFL do të krijohet një tjetër strukturë për të luftuar korrupsionin.
Arbër Hitaj/SCAN: Çfarë do të thotë metodologjia e re për integrimin në Bashkimin Europian?
Metodologjia e re ka të bëjë me modalitetin e zgjerimit. Nuk është një metodologji abstrakte që Komisioni Europian dhe shtetet e anëtare e propozojnë kot. Por është përgjigja e një dileme që shumë vende kanë patur për prespektivën e zgjerimit dhe modalitetet e zgjerimit të kaluar. Pra atyre 10 shteteve që ju bashkuan Bashkimit Europian në vitin 2004.
Por duhet të kuptohet që këto janë edhe procese politike, është shumë e rëndësishme që parlamentet e çdo shteti të pranojnë modalitetet që një vend të jetë pjesë e prespektivës së hapjes së negociatave. Metodologjia e re është e bazuar në meritë, pra nëse do të kemi hapjen e negociatave në samitin e Zagrebit do të thotë se Shqipëria e ka merituar këtë. Por është edhe një detyrim shumë i madh, sepse na vendos në pozita që duhet të japim rezultate.
Është një metodologji që përmbledh kapitujt, ato të Acquis, përframin e legjislacionit etj. Pra nuk do të kemi 33 kapituj por do të jenë të përmbledhur në disa kategori. E para është ajo politike, sundimi ligjit, të drejtat e njeriut. Apo kategoritë e tjera që kanë të bëjnë me inoviacionin etj. Do ketë përmbledhje të kapitujve. Ka të bëjë edhe me vlerësimin por edhe ndëshkimin, nëse më parë procesi ishte i pakthyeshëm, me metodologjinë e re është më e lehtë.
Pra nëse një shtet nuk ecën si duhet me reformat dhe nuk i përgjigjet komisionit me kërkesat vis a vis, atëherë është më e lehtë aplikimi i masave ndëshkuese. Prandaj po theksoj se ka një ndarje të qartë mes meritës dhe përgjegjësisë.
Si po shkon Shqipëria drejt samitit të Zagrebit në muajin Maj? Çfarë mund të zbulojmë për publikun shqiptar?
Ajo që mund të them është se gjatë këtyre ditëve kam patur shumë takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian si në Parlamentin Europian, në Komisionin Europian me njerëz që janë pranë Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm, duket sikur era është në favorin tonë. Duket sikur detyrat e shtëpisë dhe ato politike i kemi përmbushur.
Këtë periudhë do të publikohet edhe një raport për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që do të adresojë çështjet kryesore të ecurisë. Duket sikur palët janë në një gjatësi vale, mes Parlamentit Europian, Komisionit dhe vendeve anëtare. Kemi shumë terren për të qenë optimist.
Si është pritur krijimi i OFL, dhe si janë parashikimet për të ardhmen?
Është vetëm fillimi, sepse do të thellohet edhe më tej me rezultate konkrete dhe të prekshme. Do të vazhdojë edhe më tej dhe do të zgjerohet edhe me inisiativën e një entiteti të ri antikorrupsion.
Edhe Komisioneri për Zgjerim tha se ky është një sinjal për hapa të rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar pa u futur në debate teknike dhe ligjore. Këto nisma kundër krimit dhe kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishëm për të përmbushur kriteret edhe të Brukselit, por në radhë të parë për mirëqenien e brendshme të vendit tonë. Në Parlamentin Europian është pritur shumë mirë.
Patjetër që rezultat bëjnë diferencën dhe ne shpresojmë të kemi shumë shpejt rezultate të qënësishme nga Operacioni “Forca e Ligjit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.