Zyra e Boris Johnson ‘e infektuar’ me spyware, thotë grupi i sigurisë kibernetike!
Sistemet kompjuterike në Zyrën e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar janë infektuar me spyware, ka thënë një grup i sigurisë kibernetike. Citizen Lab zbuloi se midis 2020 dhe 2021 kishte “shumë raste të dyshuara” të infeksioneve të spyware Pegasus në Downing Street Nr. 10, së bashku me Zyrën e Jashtme dhe Commonwealth të MB (FCO).
Infeksionet e dyshuara të spyware në FCO ishin të lidhura me operatorët Pegasus në Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Qipro dhe Jordani, ndërsa hakimi në Zyrën e Kryeministrit ishte i lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe. Pegasus, i cili shitet nga dy kompani izraelite NSO Group dhe Candiru, është quajtur një “spyware mercenar” nga Citizen Lab.
Ai është përdorur për të thyer telefonat dhe kompjuterët e aktivistëve të të drejtave të njeriut, avokatëve, gazetarëve dhe grupeve fetare, megjithëse grupi NSO pretendon se ua shet Pegasusin vetëm agjencive qeveritare për të shënjestruar kriminelët dhe terroristët. Citizen Lab, i cili normalisht heton kërcënimet dixhitale kundër shoqërisë civile, tha se kishte informuar qeverinë britanike për gjetjet e saj.
Në një raport të veçantë, Citizen Lab zbuloi se spyware Pegasus është përdorur “gjërësisht” në dhjetëra mbështetës pro-pavarësisë në Kataloninë e Spanjës. Telefonat e të paktën 65 personave — duke përfshirë shefin rajonal dhe zyrtarë të tjerë të zgjedhur — ishin hakuar me spyware të diskutueshëm, thuhet në raport.
Por organizata jofitimprurëse me bazë në Toronto tha se nuk mund të gjente prova përfundimtare për t’ia atribuuar hakerimin e telefonave katalanas një entiteti specifik. Ministria e Brendshme e Spanjës tha se asnjë departament i ministrisë, as Policia Kombëtare apo Garda Civile, “kanë pasur ndonjëherë ndonjë lidhje me NSO dhe për këtë arsye nuk kanë kontraktuar kurrë asnjë nga shërbimet e saj”.
Grupi NSO i mohoi këto akuza, duke thënë se ato janë të rreme dhe nuk mund të kishin ndodhur. Ata pretenduan se NSO Group ishte shënjestruar nga Citizen Lab me “raportime të pasakta dhe të pabazuara” dhe pretendime “të rreme” që “nuk mund të lidheshin me produktet e NSO për arsye teknologjike dhe kontraktuale”.
Meqenëse FCO e Mbretërisë së Bashkuar ka personel në të gjithë botën, Citizen Lab tha se infeksionet “mund të kenë lidhje me pajisjet FCO të vendosura jashtë vendit dhe duke përdorur karta SIM të huaja”. Mbretëria e Bashkuar është aktualisht në mes të disa përpjekjeve të vazhdueshme legjislative dhe gjyqësore për të rregulluar politikën e saj kibernetike, si dhe dëmshpërblimin për viktimat e spyware. AP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.