Zyra ekspertize për emigrantët, Majko: Do t’i ndihmojnë në çdo drejtim, investime, punësim, shkollim
Disa ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore do të bëjnë të mundur ngritjen pranë bashkive të zyrave të specializuara që do ndihmojnë në çdo drejtim shqiptarët e diasporës apo emigrantët.
Propozimi është paraqitur në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme nga Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.
Ai tha se qëllimi i tyre do të jetë asistimi i qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit në çdo drejtim të mundshëm, nga informacionet për investimet, te shkollimi, te lehtësitë e marrjes së çdo shërbimi.
Ai theksoi se aktualisht emigrantëve u ofrohet shumë pak mbështetje nga shteti shqiptar dhe se gjerat duhet të ndryshojnë rrënjësisht.
Komisioni i Punëve të jashtme miratoi në parim ndryshimet ligjore, të cilat do të shqyrtohen nen për nen në vijim.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.