“Zyrat private, në rrezik të dhënat e qytetarëve” – Haxhimali: Punonjësit e shtetit duhet të asistojnë falas për aplikime në e-Albania
Mbyllja e sporteleve fizike të administratës qendrore dhe vendore që ofronin shërbime për qytetarët, ka krijuar problematika dhe një hendek në marrjen e këtyre shërbimeve, ç’ka ka çuar në lulëzimin e bizneseve apo zyrave që asistojnë të interesuarit kundrejt pagesës.
Por disa nga këto subjekte private janë gjobitur për shkak të përdorimit të logos e-albania e cila është e regjistruar ng Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe përdorimi i saj është i ndaluar.
Në një intervistë për TV SCAN, eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali, thekson se shqetësim i qeverisë nuk duhet të jetë ky, pasi është një gjë që zgjidhet lehtësisht, por abuzimi që mund të behët me të dhënat e qytetarëve.
Haxhimali sugjeron se pavarësisht mbylljes së sporteve fizike, njësitë vendore duhet të ishin në gatishmëri për të asistuar qytetarët on line për aplikimet e nevojshme, sa të fitohej kultura e duhur.
Sipas tij, dixhitalizimi i shërbimeve, edhe pse i nevojshëm, sjell problematika për qytetarët që nuk kanë akses në internet, apo pajisje smart dhe që nuk kanë njohuritë e duhura në përdorimin e platformës on line e-albania.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.