0.37% deficiti buxhetor për vitin 2016. Hoti: Më i ulët se kufizimi ligjor

Deficiti buxhetor për vitin 2016 ishte më i ulët se sa kufizimi ligjor, falë performancës shumë të mirë të të ardhurave dhe menaxhimit efikas të shpenzimeve dhe kursimeve të bëra në fund të vitit të shkuar.
Ministri i Financave në Kosovë Avdullah Hoti, paraqiti këtë të mërkurë në mbledhjen e Qeverisë Raportin Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin fiskal 2016. Hoti theksoi se sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, deficiti nuk ka kaluar limitin prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Deficiti buxhetor ishte më i ulët se sa kufizimi ligjor. Deficiti buxhetor, sipas Rregullës fiskale për vitin 2016 ishte 0.37% përkundër vitit 2014 që ka qenë 2.2% dhe në vitin 2015 që ishte 1.3%. Një deficit kaq i ulët buxhetor është treguesi më i mirë i politikave të kujdesshme fiskale, menaxhim të përgjegjshëm të shpenzimeve publike dhe sinjal i qëndrueshmërisë afatgjate të financave publike. Kështu, e kemi kompensuar plotësisht tejkalimin e deficitit buxhetor mbi rregullën fiskale që ka ndodhur në vitin 2014”.
Ndërsa, sa i përket të ardhurave buxhetore Ministri Hoti shtoi se totali i të ardhurave për vitin 2016 kanë qenë në vlerë prej 1 miliardë e 779 milion Euro, duke mos përfshirë grantet e përcaktuara të donatorëve si dhe fondet në mirëbesim. Kurse të ardhurat tatimore janë rritur me mbi 12% apo afër 160 mil euro më shumë, duke arritur shumën totale në 1 miliardë e 463 milion Euro.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.