1.25 euro për aparaturat në kazino! Hyn në fuqi vendimi/ Preken hotelet me 5 yje në të gjithë territorin
Të gjitha kazinotë që funksionojnë në vend dhe ato të vendosura në hotele me 5 yje, do të paguajnë një tarifë mirëmbajtje për sistemin qendor të monitorimit on line (SQMO). Vendimi i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi, bën një ndryshim në vendimin e mëparshëm të vitit 2017, ku këtë detyrim e kishin vetëm kazinotë elektronike, ndërsa tashmë duket se fasha e shoqërive të licensuara që duhet të paguajnë është zgjeruar.
Sipas vendimit në fjalë, emërtimi: “Kazino elektronike” zëvendësohet me fjalët: “Kazino/kazino të vendosura në hotele me 5 yje”. Refreruar vendimit të vitit 2017 i cili është në fuqi, kategoritë që paguajnë tarifën e mirëmbajtjes janë: “Bastet sportive”, të cilat paguajnë një tarifa ditore prej 0.7 euro pa TVSH për çdo njësi, ku njësia është çdo qendër basti. Tarifa me përqindje mbi xhiron vjetore që faturon organizatori është 0,5%. Por prej 1 viti kjo kategori është mbyllur nga qeveria dhe nuk funksionon.
“Lotaria Kombëtare” paguan një tarifë ditore prej 1 euro pa TVSH për çdo njësi, ku njësia është çdo operator. Dhe së fundmi kazinotë, ku nuk ka diferencim nëse janë elektronike apo jo, të cilat do të paguajnë tarifë ditore prej 1.25 euro pa TVSH për çdo njësi, ku njësia është çdo aparaturë elektronike. Kjo tentativë, me këtë informacion të deritanishëm, duket se vjen si një rritje kostosh për këtë kategori biznesi.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.