1.68 miliardë lekë për ‘Eco Park Durrës’, si do të transformohet landfilli i mbetjeve (FOTO)

Projekti ‘Eco Park’ për Durrësit pritet të transformojë hapësirën 155 mijë metra katrorë të vend-depozitimit të mbetjeve, në një ambient të mbushur me gjelbërim, hapësira pushimi, argëtimi, parkimi etj.
Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka vënë në dispozicion të projektit një fond 1. 68 miliardë lekë, i cili do të shtrihet në një hark kohor të një viti e gjysëm, sipas specifikimeve të tenderit. Aplikantët e interesuar do të mund të aplikojnë deri në datën 19 nëntor, ora 12:00.
‘Eco- Park Durrës’, nga detajet teknike, është strukturuar në 8 zona; parkimi, zona teknike, zona e aksesit, zona për aktivitete sportive, kopshti botanik, muri multifunksional për ngjitje dhe zip line, unaza e qarkullimit, kodra e brendshme dhe mali, si dhe kodra e jashtme.
“Parkimi i automjeteve ka një kapacitet për 229 makina, duke përfshirë katër vende parkimi për automjete për persona me aftësi të kufizuar. Ka pemë dhe një dysheme parkimi të gjelbër e përbërë me material shtrimi prej betoni e mbushur më barë, e cila do të sigurojë paraqitjen e gjelbër të saj.
Parkimi ndodhet jashtë zonës së rrethuar të parkut për të garantuar sigurinë dhe kontrollin e landfillit. Parkimi është gjithashtu i lidhur mirë më zonën e aksesit dhe me pavionin e aksesit. Parkimi për autobuza ndodhet përballë pavionit të aksesit dhe ka një kapacitet për tre autobuza” shkruhet në relacionin teknik të tenderit.
Ndërkaq, zona e aktiviteteve sportive pritet të jetë e pajisur me 3 fusha basketbolli të përshtatura edhe për volejboll , 1 fushë për Futsal (mini-futboll), 2 fusha tenisi, 2 fusha ‘Petanque’, 3 tavolina ping pongu, etj. Këto të fundit, për shkak të ndriçimit, supozohet të jenë funksionale edhe gjatë natës.
Po ashtu, sipas specifikimeve teknike, zona do të përmbajë 8 kodra të brendshme dhe mali, si dhe 6 kodra të jashtme, 2 prej të cilave, me platformë për ‘zip line’.
Nga ana tjetër, projekti parashikon edhe ambiente për bare dhe restorante, parqe pushimi, zona informacioni apo biletari, nëse do të jetë e nevojshme.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.