1.8 milionë euro nga BERZH dhe ENEF për zgjerimin e kompanisë shqiptare të prodhimit dhe ndërtimit

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të bashkëfinancojë me Fondin për Zgjerimin e Ndërmarrjeve (ENEF) 1.8 milionë euro për rritjen e kapaciteteve të kompanisë shqiptare APM.
Fondet do të mbulojnë pjesë të planit 3.7 milionë euro për investime në blerjen e makinerive dhe pajisjeve, në mënyrë që kompania të mund të zgjerohet përballë kërkesave në rritje nga klientë të rinj dhe ekzistues.
“Në këtë mënyrë, kjo kompani do të mund të forcojë konkurrueshmërinë dhe pozicionin e saj në tregjet e Bashkimit Europian përmes një game më të gjerë produktesh dhe përmirësimin e cilësisë së këtyre produkteve”, shprehet BERZH në njoftimin zyrtar.
Kreu i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli foli gjithashtu për rëndësinë e këtij projekti në mbështetjen e bizneseve në vend.
“Ky është bashkëfinancimi i parë nga BERZH dhe ENEF në Shqipëri dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm. Jemi të lumtur të mbështesim rritjen e një kompanie dinamike shqiptare dhe përpjekjet e saj për të forcuar pozicionin në tregjet e eksportit. Jemi të përkushtuar të rrisim financimin për ndërmarrjet lokale në Shqipëri dhe të kontribuojmë në konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e sektorit privat në vend”, tha Colangeli.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë që do të përfitojë fondet u shpreh se ky financim do të mundësojë rritjen e eksporteve, atje ku ka kërkesë të madhe për produkte.
BERZH ka investuar në vendin tonë mbi 1 miliardë euro në pothuajse 80 projekte të ndryshme. Ndërsa ENEF është një fond prej 48.5 milionë eurosh, i ngritur me synimin për të mbështetur sipërmarrjet në Ballkanin Perëndimor. Në këtë fond investitorët kryesorë janë BERZH, Fondi Europian për Investime, Banka Gjermane e Zhvillimit, Banka e Zhvillimit e Austrisë, si edhe qeveria italiane.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.