1 maji, protesta në Tiranë – Sindikalistët kërkojnë pagë minimale në 28 mijë lekë

Përmirësimi i kushteve të punës, rritja e pagës minimale në 28 mijë lekë, vendosja e minimumit jetik, si edhe status për metalurgët dhe punonjësit e industrisë ushtarake ishin disa nga kërkesat e bëra nga sindikalistët në protestën e zhvilluar me rastin e 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, theksoi se numri i aksidenteve në punë është ulur me 35% gjatë 2016-ës, por ngelet shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës.
“Protestojmë për kushte pune dinjitoze, për siguri e shëndet në punë, për paga e pensione dinjitoze, për trajtim financiar, për të gjitha problemet që kanë punëtorët në tërësi. Kemi bërë diçka, sidomos vitet e fundit me këshillat e sigurisë ka njëfarë parandalimi aksidentesh të ndryshme, sidomos në industrinë minerare ka patur përmirësim. Numri i të aksidentuarve në punë është ulur me rreth 35%”, tha Nikollaj.
Punonjësit e Uzinës ushtarake në Poliçan pjesë e këtij manifestimi bënë të ditur se nuk paguhen për rreth 3 vite çka ka ndikuar ndjeshëm në nivelin e tyre të jetesës.
“Në uzinë sot janë vetëm 22 punëtorë, pothuajse vetëm administrate. Punë nuk ka. Kemi tre vjet pa lekë”, tha Abedin Çela, kryetari i Sindikatës së Uzinës Ushtarake në Poliçan.
“Tre vjet, katër vjet punuam prapë çmontimet, kemi punuar me lëndë, e kemi kapur me dorë sepse nuk kishte kushte. Si përfundim, pas tre katër vitesh punë, na nxorrën fare nga uzina, pa asnjë lek”, u shpreh Lindita Fesko, ish-punëtore e Uzinës.
Protestat kanë vijuar edhe përballë Ministrisë së Mirëqenies Sociale ku një grup studentësh kërkuan vëmendjen e shtetit dhe dëmshpërblim të familjarëve të rreth 200 punonjësve të vrarë në punë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.