1 milion euro prona dhe materiale publike nxirren në ankand
Shteti shqiptar do të nxjerrë në ankand gjatë javëve në vijim mbi 1 milion euro pasuri publike për objekte që variojnë nga metale për skrap, deri tek prona në zotërim të institucioneve shtetërore apo shoqërive në faliment dhe pasuri të sekuestruara.
Ditën e martë, në ambientet e Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike pritet të nisin procedurat e ankandit pasuri si magazina e ish-ndërmarrjes së Prodhim Veshjeve numër 1 në Tiranë. Vlera fillestare për këtë objekt me sipërfaqe 419 m2 është 19.2 milionë lekë.
Në shitje do të dalë edhe posta kufitare në Trebisht, Dibër, me një vlerë fillestare prej 4.3 milionë lekësh; si dhe 2 objekte në nënrepartin ushtarak në Gjeroven, Berat për 2.7 milionë lekë.
Si pronë e konfiskuar, do të dalë në shitje edhe një tokë arë me sipërfaqe 1485 m2 në Yzberisht, me një vlerë prej 965 mijë lekësh.
Sa i takon materialeve të ndryshme gjendje, objektet e Agjencisë Maqellarë të Rezervave Materiale të Shtetit do të nisin ankandin nga vlera 43.7 milionë lekë. Ndërsa më 26 shtator do të kalojnë në procedurë edhe 40.4 milionë lekë materiale nga magazinat e TEC Fier, në pronësi të shoqërisë në likuidim “Petrol Alba”.
Një vlerë shumë të lartë në ankand do të kapin edhe metalet që shiten për skrap, qoftë nga mjete jashtë përdorimit(8.4 mln lekë), apo nga asetet të OST të nxjerra jashtë përdorimit (3.3 mln lekë).
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.