“10% e tregut, biokarburant”! Qeveria propozon ligj të ri, Bejtja: Përjashtim nga taksat doganore
Nga Ola Mitre/SCAN Magazine
Duke filluar nga viti 2020, 10% e sasisë së karburanteve të konsumuar për transport në vendin tonë duhet të përbëhët nga biokarburantet. Gjithçka përcaktohet në një projektligj të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e që ka nisur të diskutohet në Kuvend, i cili shfuqizon tërësisht ligjin aktual “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, që ndonëse është miratuar në vitin 2008, nuk ka arritur të gjejë zbatim.
Sipas drejtorit të Hidrokarbureve, Ilia Gjermani, “qëllimi i këtij ligji është të promovojë përdorimin e biokarburanteve në sektorin e transportit për të zëvendësuar një pjesë të karburanteve, të cilat prodhohen nga lëndët fosile”. “Ky synim është në përputhje me objektivat e Shqipërisë, që janë të përcaktuara në dokumentin e Stabilizim-Asocimit. Po ashtu, ai është në përputhje me Starategjinë Kombëtare për Energjitë e Rinovueshme, sipas të cilit është parashikuar që në bilancin kombëtar energjetik të Shqipërisë, në vitin 2020, 38% e energjisë duhet të prodhohet nga energjitë e rinovueshme”,-thotë Gjermani.
“Për të arritur këtë objektiv është llogaritur që 10% e karburanteve që përdoren në sektorin e transportit të jenë nga biokarburantet”,-shton ai. Detyrimi për përdorimin e biokarburanteve vjen edhe në kuadër të objektivave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit, zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të bujqësisë dhe pyjeve si stimul për zhvillimin rural dhe nxitje të punësimit, si dhe uljen e sasisë së emetimeve të ndotësve në ajër dhe të emetimeve të gazeve me efekt serrë, të çliruara në mjedis nga veprimtaritë në sektorin e transportit.
“Në këtë kuadër, do të ndikojë pozitivisht në reduktimin e emetimit të gazeve serrë dhe do të japë një ndikim të padiksutueshëm në cilësinë e mjedisit në tërësi në vend, por edhe në kuadrin rajonal’,-thotë Gjermani. “Qëllimi i projektligjit është krijimi i politikave të tilla, që nxisin kultivimin e bimëve energjetike në Shqipëri, për mbrojtjen e emjedisit nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë”, shton më tej drejtori i hidrokarbureve.
BIOKARBURANTET
Biokarburantet janë lëndë djegëse për sektorin e transportit që prodhohen nga biomasa, ndërkohë që projektligji i propozuar nga qeveria parashikon prodhimin e tyre brenda vendit ose importin e tij. “Këto karburante prodhohen nga distilimi i lëndëve bimore, që mund të prodhojnë fraksione energjetike, siç janë karburantet. Jo çdo bimë mund t’i prodhojë, por janë një kategori e gjerë, si përshmbull kallamat”,-shpjegoi zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, gjatë diskutimeve të pr.ligjit në Kuvend.
“Në këtë aspekt, ne kemi disa efekte të cilat fillojnë që nga fakti që ne shtojmë masën e gjelbër për të prodhuar karburante, jemi në kushtet e qëndrueshëmri, pra japim dhe marrim të njëjtën transformim mase nga natyra, nuk përdorim fosile të cilat janë të krijuara kohë më përpara dhe janë 100% të pasura edhe me lëndë të tjera përveç karbonit, pra nga nënktoka për shkak të dekomopizimit vijnë gazra që nuk janë të mirë për atmosferën dhe ky kriter është në themel të të gjithë prodhimit”,-tha Bejtja. Sipas relacionit që shoqeron pr.ligjin, kur prodhimi vjetor vendas i biokarburanteve dhe i lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, nuk mbulon të gjithë sasinë minimale vjetore, për t’u hedhur në treg, shoqëritë e tregtimit me shumicë, që do të pajisen me licencat përkatëse detyrohen të garantojnë furnizimin e tregut me këtë sasi minimale vjetore nëpërmjet importit.
Ndërkaq, zv. ministri Ilir Bejtja deklaroi se për shkak të çmimit më të lartë në tregjet ndërkombëtare, biokarburantet do të përjashtohet nga taksat doganore. “Për momentin jemi jo në kushtete e ekonomisë së shkallës në nivel botëror. Në kushtet që jemi janë më shtrenjta sesa karburantet e tjerë dhe për këtë arsye është parashikuar të ketë mbështetje me përjashtim nga taksat doganore”,-tha Bejtja. “Nivelet e përjashtimit, nga viti në vit janë të rakorduara meMinistrinë e Financave dhe me përqindjen e mishelës, që tregtarët e karburanteve, duhet të bëjnë midis karburantit nga fosilet dhe karburanteve nga masa e gjelbër”,-shtoi ai. Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vendin tonë konsumohet rreth 900 mijë ton në vit, çka do të thotë se nga viti 2020, rreth 90 mijë ton duhet të jetë biokarburant.
BIOKARBURANTET/ Shoqata e Hidrokarbureve: Objektivit 10%, i vështirë
Aliaj: Duhet subvencione e politika fiskale për uljen e çmimit
Për Shoqatën e Shoqërive Hidrokarbure, që përfaqëson interesat e operatorëve në treg, arritja e objektivit prej 10% së sasisë së konsumuar për transport të përbëhet nga biokarburantet, është shumë e vështirë për t’u arritur gjatë vitit 2020. Në një intervistë për SCAN Magazine, kreu i kësaj shoqate, Luigj Aliaj thotë se qeveria duhet të ndërmarrë masa subvencionuese me qëllim stimulimin e prodhimit në vend, ndërkohë që për biokarburantin e importuar duhet të ndërmerren politika fiskale në mënyrë që çmimi të jetë i përballueshëm.
Aliaj, si përfaqësues i operatorëve të tregut, si e konsderoni projektligjin e ri të biokarburanteve?
Nga pikëpamja e prodhimit apo importimit ligji i ri nuk ndryshon asgjë me të vjetrin. Sipas detyrimeve që kemi nga Komuniteti i Energjisë, Komisoni Europian dhe Protokolli i Kiotos, gradualisht karburantet fosile duhet të ndërrohen me biokarburante dhe në këtë kuadër të gjithë shtetet kanë detyrime. Pra, ne sot kemi një kuotë, që ka qenë edhe nga ligji i vjetër, që minimum 10% e sasisë së karburantit duhet të jetë bio, por deri më tani kjo kuotë nuk është zbatuar.
Përse kjo kuotë nuk është zbatuar deri më tani?
Biokarburanti është i shtrenjtë, rreth 2-fish në krahasim me karburantet e tjerë. Deri më tani shteti ka rimbursuar vetëm akcizën, por sërish ajo nuk e mbulon diferencën. Gjithashtu, është edhe një artikull defiçitar për ta gjetur. Europa e ka subvencionuar prej shumë vitesh dhe tani e trajtojnë pothuajse pa taksa fare. Pra, nuk bëjnë më subvencionime, por s’aplikojnë taksa dhe e përdorin kryesisht në transport publik apo në kamionë. Ndërkohë që, te ne deri tani është rimbursuar akciza, por kjo nuk ka mjaftuar për ta nxitur. Gjithashtu, edhe pse ligji ishte miratuar që në vitin 2008, asnjëherë nuk kanë dalë aktet nënligjore. Për këtë arsye është lënë në dëshirë të përdoruesve: kush ka dashur e ka përdorur në Greqi, kush s’ka dashur nuk e ka përdorur fare sepse nuk ka patur leverdi.
A janë pengesë për tregun shqiptar kapacitetet teknike të kompanive që operojnë në treg?
Jo, kjo nuk është pengesë sepse në drejtim të investimeve duhet vetëm një impiant i thjeshtë që bën mishelimin, që kushton 20 mijë euro e që nuk është investim i madh.
Po për pjesën e prodhimit në vend, sa mund të shkojë investimi?
Nëse dëshirojmë të prodhojmë vetë, prodhimi fillon që nga bujqësia sepse duhet siguruar lënda e parë . Fabrika më pas varet nga kapaciteti dhe shkon në miliona euro.
Qeveria planifikon të heqë taksat doganore për këtë lloj karburanti. A është e mjaftueshme si masë për ta stimuluar, duke qenë se ju thatë se një nga problemet kryesore për futjen e tij në treg është çmimi i lartë?
Do të ishte mirë që të ndërhyhej te pjesa e fiskut. Fisku duhet të merrte parasysh subvencionimet për ta prodhuar në vend sepse ky lloj karburanti prodhohet nga bimë të veçanta. Ideja është që ti të kalosh nga importi në prodhim vendas dhe kjo kërkon subvencion, sikurse kërkon gjithë bujqësia. Që ti të ulësh çmimin duhet ta nxitësh prodhimin vendas. Ndërsa për efekt të tregut, që të mos rriten çmimet duhet të ecet me taksat, por ligji i propozuar, sikurse e kemi parë ne nuk i trajton taksat. Taksa aktualisht nuk ka as nafta, por pastaj i shtohet akciza apo taksa të tjera.
Pra, në këndvështirmin tuaj, ju e parashikoin të vështirë arritjen e objektivit 10% në vitin 2020?
Për mua duhet bërë hap pas hapi. Përveç faktit që biokarburanti nuk ka karbon e nuk ndot ambientin, ai është edhe më i mirë se karburanti normal. Kërkon një përshtje të motorit, por bota i ka bërë, por objektivi prej 10% të tregut është i vështirë. Për t’u zbatuar në vitin 2020 padiskutim që ka probleme sepse ti ende nuk ke udhëzimet. Po ashtu, mungojnë institucionet sepse qeveria ia kalon Inspëektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, por ISHTI nuk është i specializuar. Në këto kushte, kush do i kontrollojë sepse kërkohet një institucion i veçantë pranë ministrive, sikurs e kanë vendet e tjerë që kanë një institucion të veçantë pranë ministrive. Po ashtu, duhet të ngrihet edhe një laborator i veçantë për kontrollin e tyre.
Ligji i ri përcakton se njësitë e prodhimit dhe të përzierjes së biokarburanteve, të cilat operojnë aktualisht në treg, janë të detyruara që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji, të plotësojnë kushtet përkatëse dhe të depozitojnë aplikimin pranë ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet, për të përfituar licencën e prodhimit dhe të përzierjes. Si e konsideroni këtë detyrim?
Projektligji presupozon gjëra të ndërilikuara. Përshembull ku do e prodhosh lëndën e parë të biokarburanteve?! Në botë kanë shpyllëzuar zona apo përdorin lagunat për të marrë kallamin, por në ligjin e ri kanë futur një koncept që nuk duhet ta marrësh nga këto zona. Pra, ne e miratojmë ligjin, por ai nuk nis si duhet e më pas lind edhe korrupsioni sepse vendoset ligji, ti nuk e zbaton dot, autoritetet të vijnë të thonë që nuk e ke zbatuar dhe ti shkon drejt korrupsionit. Por, është vetë ligji që i buron këto probleme. Pra nuk merret parasysh objektivisht sepse viti 2019 po mbaron, edhe një muaj është për të vendosur objektivat e reja. Një ligj që del sot, duhet të lerë afat 1 apo 2 vjet, që të përgatiten.
Çfarë do të sugjeronit ju, në mënyrë që në tregun shqiptar të ketë biokarburante?
Duhet të kemi parasysh që nëse fillojmë vitin tjetër me detyrimin prej 10%, minimumi Shqipërisë i duhen 50-60 mijë ton biokarburant. . Ajo që mund të them është, që të vendosen kuotat sespe janë detyrim ndërkombëtar, por duhet të lesh edhe një detyrim që të plotësohet gradualisht, brenda vitit 2022 apo 2023 në mënyrë që të nisë përgatitja. Ligji tjetër ka dalë që në vitin 2008: kanë kaluar 11 vjet dhe ende s’është plotësuar me akte nënligjor: Si mund të zbatohet ligji pa akte nënligjore?!
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.