10 më të pasurit shqiptarë – IEP, studim mbi bilancet e vitit 2016
Ekonomia shqiptare është e brishtë, por edhe ajo ka të pasurit e saj. Instituti Europian “Pashko”, ka realizuar një studim mbi “super të pasurit” shqiptarë për vitin 2016. Kështu, bazuar vetëm tek deklarimet e bilanceve në QKB dhe strukturat aksionmbajtëse, studimi për vitin që shkoi u zgjerua në analizën e 100 bizneseve më të mëdha me aksionmbajtës shqiptarë, u shpreh Drejtori i këtij Instituti, Besart Kadia. Sipas tij, metodologjia e aplikuar është bazuar në dy komponentë thelbësorë të deklarimeve në QKB: fitimin e realizuar dhe kapitalin neto.
“Kemi një renditje të përgjithshme të top tridhjetëshes që përfshihet ajo që ne kemi analizuar sipas fitimit dhe kapitalit neto dhe rezultati pasi është ponderuar secila prej tyre del ky përfundim. Në vend të parë ashtu si edhe në tre vitet e shkuara renditet zoti Samir Mane me grupin e tij BALFIN, në vend të dytë Z.Shefqet Kastrati në vend të tretë Z.Vasil Naci në vend të katërt Z.Behar Cukaj, në vend të pestë Z.Tom Doshi, në vend të gjashtë Z.Rrok Qokaj në vend të shtatë Z.Grigor Joti, në vend të tetë Z.Idajet Ismailaj, në vend të nëntë Znj.Vilma Nushi dhe në vend të dhjetë Z.Pëllumb Salillari.”
“Kjo është një përafrim i realitetit nuk është realiteti, pra në 10 e parë të këtij viti nuk ka mënyrë tjetër përveçse të marrim atë që deklarohet në shtetin shqiptar përndryshe pastaj do të hyjmë në interpretim subjektiv dhe prapë nuk do të kemi të dhëna të plota. Për të qenë një metodologji që të gjithë krahasohen njësoj kjo është një mënyrë e mirë e thjeshtë dhe që nuk diskriminon askënd pra pa futur asgjë subjektive ne analizë. Merret parasysh dhe informaliteti por kjo i mbetet shtetit shqiptar për të kryer më pas për të vërtetuar pse disa nuk kanë deklaruar pse nuk kanë hedhur online fitimet e tyre të vitit 2016”.
Ky është viti i tretë radhazi që bëhet një studim i tillë. Metodologjia e ndjekur është huazuar nga teknikat bashkëkohore nga Capgemini, KnightFrank, Wealth-X. Natyrisht, këto praktika ndërkombëtare janë përshtatur realitetit shqiptar, me qëllim që të kenë kuptim dhe të mund të jenë të aplikueshme dhe të lexueshme nga shumica.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.