10 mln USD për një aks – Hapen ofertat për rrugën Skrapar-Përmet

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vënë në dispozicion 10 milion dollarë apo rreth 1 miliardë lekë për ndërtimin e lotit të parë të segmentit rrugor Skrapar-Përmet.
Tenderi është bërë publik në Agjencinë e Prokurimeve Publike, duke ftuar të gjitha kompanitë e ndërtimit të aplikojnë për ndërtimin e këtij aksi.
Kohëzgjatja e kontratës është dy vjet, ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave dhe hapjen e tyre është data 7 Prill.
Në vitin 2015 për këtë projekt është bërë edhe studimi përkatës për aksin Skrapar – Përmet (segmenti Ura Lapanit – Raban) i cili është në total 20 km, me një kosto të llogaritur në 4 mld lekë.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi i infrastrukturës së transportit rrugor, plotësimit të rritjes së nevojave për shërbimet e transportit dhe të lëvrimit të mallrave, promovimin e turizmit kjo në kontekstin e ndryshimeve të shpejta ekonomike rajonale dhe kombëtare.
Ky projekt mund të klasifikohet si projekt i rëndësishëm sepse lidh dy qarqe (sipas ndarjes aktuale të territorit të Shqipërisë), qarkun e Gjirokastrës (nëpërmjet Përmetit), me atë të Beratit(nëpërmjet Çorovodës).
Si pjesë rajonale së bashku, me dy akse të tjerë të parashikuar (Çorovodë-Gramsh dhe Çorovodë-Korçë), ky aks i jep qasje në shërbime dhe në rritje të cilësisë së jetës pjesës më të madhe të komunitetit banues ku ky projekt do të shtrihet.
Gjithashtu, ky aks siguron dhe kalimin drejt pikave kufitare të Shqipërisë me vendet fqinjë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.