11.9 mld lekë më shumë ardhura – Treguesit fiskalë për 5-mujorin me suficit 6.3 mld lekë

Stabiliteti në financat publike ka shoqëruar gjithë muajt e parë të këtij viti, duke rezultuar me suficit buxhetor.
Edhe pse nga historiku i mëparshëm në vite elektorale arka e shtetit ishte me një deficit buxhetor, krejt e kundërta po ndodh në këtë periudhë të parë të vitit.
Kështu të ardhurat në buxhetin e shtetit nga administrata fiskale për 5-mujorin e parë të këtij viti rezultojnë 11.9 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në 5 mujorin 2017 janë realizuar në masën 176.2 miliardë lekë.
Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 5 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 118.7 miliard lekë, të ardhurat nga taksa tatimore janë realizuar në vlerën 163.4 miliard lekë.
Sipas këtyre treguesve, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e pestë të vitit 2017, arritën në rreth 169.9 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 24 miliardë lekë më shumë.
E gjithë kjo periudhë fiskale është shoqëruar me një suficit buxhetor prej afërsisht 6.3 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.