11 arsyet pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni europian i ardhshëm

Për shumë, Italia dhe Greqia janë pushime ëndrrash. Nga vera tek ushqimi tek toka e shkelur gjatë historisë, plus plazhet dhe peizazhi, jeta mesdhetare ka shumë për t’u dashuruar.
Shqipëria është shumë e pazbuluar nga amerikanët, për një arsye të mirë. Për gjysmën e shekullit të 20-të, vendi ishte i pa aksesueshëm nga të gjithë të huajt, sipas vendimit të një diktatori brutal. Ajo kohë ka kaluar dhe tani peizazhi magjepsës i Shqipërisë, plazhet e klasit botëror, ushqimi i lashtë mesdhetar dhe mikpritja e njerëzve janë gati për punë.
Ja pse ky vend i nënvizituar duhet të jetë pasardhësi në listën tuaj me destinacione europiane.
- Për njerëzit
Ndryshe nga shumica e Europës, ku turizmi ka vërshuar prej kohësh, në mos shekujsh, Shqipëria ka qenë e mbyllur për gati pesë dekada. Në 1944, diktatori Enver Hoxha mori pushtetin dhe Shqipëria shpejt u bë po aq e izoluar sa Koreja e Veriut sot. Shqiptarët janë njerëz të hapur, mikpritës dhe me iniciativë. Ata ndihen krenar dhe të lumtur kur shohin turistë, sidomos amerikanë. Eksploroni kryeqytetin, Tiranën dhe do të gjeni flamuj amerikanë, një rrugë të emërtuar pas George W. Bush, një park të quajtur Harry Truman dhe shumë homazhe të tjera amerikane.
- Për besën
Një kod nderi me shekuj i lashtë, besa, i detyron shqiptarët të bëjnë gjithçka munden për të mbrojtur dhe ndihmuar mysafirin, qoftë mik apo armik. Ky kod i bërë shqiptarët muslimanë gjatë Luftës së Dytë Botërore të krijojnë identitete false, punë dhe një rrjet mbështetës për hebrenjtë që u largoheshin nazistëve në vendet fqinje. Një histori e vjetër tregon se si një qytezë veriore ku po konsiderohej të ndërtohej një hotel u përball me protesta të vendasve që këmbëngulnin se vizitorët janë gjithmonë të lirë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, çdo trajtim tjetër do të ishte jo-shqiptar. Sot, besa nënkupton se shqiptarët nuk do të të kthejnë kurrë shpinën në një moment nevoje, çka është gjithmonë e nevojshme si një i jashtëm në një vend të huaj.
- Për malet
Më shumë se 70% e relievit është e mbuluar me male, çka e bën Shqipërinë një nga vendet më malore në botë. Malet e jugut janë kthyer shpesh në brezare për kultivim, ku fermat prodhojnë gjithçka, nga vera dhe lajthitë, tek domatet dhe jeshillëqet. Në veriperëndim ndodhen Bjeshkët e Namuna, të cilat janë Alpet Shqiptare. Bjeshkët e Namuna kanë një nga ngjitjet malore më të nënvlerësuara në botë, me shtigje të përsosura, liqene të akujt të qarta si kristal. Nëse dashuron eksplorimin, shumë udhërrëfyes të mirë janë të gatshëm të të tregojnë këto Alpe dhe është shumë më lirë se sa mund të kushtonte në Zvicër.
- Për ushqimin
Falë klimës mesdhetare, Shqipëria prodhon vetë verëra, bulmetra dhe mish të një cilësie shumë të lartë. Afërsia me kryeqendra kulinarie si Italia dhe Greqia, bashkuar me shekuj ndikime nga kuzhina otomane dhe veneciane, nënkuptojnë një përzierje shijesh fantastike. Duhet të shkoni në zona si Korça, ku gjithçka nga qumështi tek djathi, bifteku, qengji, pula dhe perimet vijnë shpesh ng apo ajo pronë.
- Për bregdetin
Pas një serie të Top Gear, ku shfaqej bregdeti dhe rrugët, shumë shpejt blogjet dhe mediat e tjera shpërtyen dhe e vendosën Shqipërinë në radarin e turizmit global. Riviera shqiptare konkurron me Greqinë e Kroacinë dhe thuhet të ketë ndër plazhet natyrore të paprekura më të bugura në Mesdhe. Shtuar kësaj janë rrënojat e lashta dhe ushqimi i detit fantastik.
- Për varietetin në kulturë
Tirana përgjatë një shekulli ka parë luftëra, diktatorë dhe pushtues, ndaj nuk do të gjenii një qytet të vjetër tradicional për Europën. Qyteti dominohet nga relike të mbyllura, arkitekturë komuniste dhe neo-fashiste italiane, së bashku me ndërtesa që tregojnë sikur qyteti po shpërthen nga moderniteti. Ndërkohë në qytetet e tjera pasqyrohet Shqipëria më e vjetër.
- Për ndjesinë
Ndonëse varfëria mbetet një problem, një ndjesi e re shprese mbizotëron. Në Shqipëri ka mbërritur një jetesë më e mirë, e cila duket çdo ditë më e shndërritshme.
- Për një foto të kohës
Tirana është e pozicionuar në një të ardhme dinamike. Plani “Tirana 2030” synon të rrisë hapësirat e gjelbra, duke mbjellë pyje në zemër të qytetit. Ka një plan edhe për një zhvillim vertikal të qytetit, me një pyll orbital që do të rrethojë perimetrin urban.
- Për historinë e saj
Qyteti i vjetër i Tiranës mund të jetë zhdukur, por kështjellat dhe rrënojat që datojnë para 2700 vitesh janë plot në Shqipëri. Nëse ju pëlqejnë kalatë, jeni me fat, pasi ka mbi 70 të tilla që ia vlen të vizitoni. Qytete të afërta që mund të vizitoni janë Apollonia në Fier dhe Kruja, ndërsa Butrinti dhe Gjirokastra janë vende të mbrojtura nga UNESCO.
- Për maninë e bunkerëve
Ka mbi 750 mijë bunkerë në vend, pra një bunker për çdo katër njerëz. Janë aq të pashkatërrueshëm saqë vetëm ato në bregdet po hiqen. Shumica e tyre janë shndërruar në strehëza, hapësira për graffitti, madje dhe galeri arti, kafene, apo biznese të tjera.
- Për çmimet
Një darkë zgare bujare zakonisht do të shkojë më pak se 6$ krahasuar se 15$ ose më tepër nga sa do të kushtonte në Greqi. Dy kupa akullore të barabarta me ato të Italisë në shije, kushtojnë më pak se 30 cent. Kafja nis nga 35 cent. Në fakt, do të ishte shumë e vështirë të harxhoje më tepër se 25$ për një vakt në një nga restorantet më të mira në vend. Taksitë, operat janë të lira. Pra, ka leverdi në çmime kudo.
Burimi: GoEastEurope
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.