11 mijë transaksione drejt bizneseve me status pasiv – Tatimet: Evazion dhe vepër penale

Administrata Tatimore, në vijimësi të aksionit anti informalitet, është duke ushtruar kontrolle nga zyra për të gjithë subjektet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë mbikëqyrjes tatimet kanë konstatuar një fenomen shqetësues që ka të bëjnë me raste kur tatimpagues me status aktiv realizojnë transaksione, në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv.
Vetëm nga kontrolli i të dhënave në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, rezulton që për vitin 2017, bizneset e mëdha kanë faturuar rreth 11 mijë transaksione të tilla.
Teksa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se verifikimet po shtrihet edhe tek drejtoritë e tjera rajonale, njëkohësisht kërkon të njoftojë se veprime të tilla konsiderohen shkelje administrative dhe dënohen sipas ligjit.
“Për çdo rast që nga furnizuesit është shënuar fiktivisht NIPT-i i blerësit, realisht me status pasiv, ndaj lëshuesit të faturës tatimore do të aplikohet dënim administrativ.
Nëse tatimpaguesi me status pasiv, ka kryer aktivitet, ndaj tij administrata tatimore, përveç dënimit administrativ, do të kryejë edhe vlerësim tatimor për të gjithë periudhën që ai ka qenë në regjistrin pasiv”, njofton DPT.
Gjatë 5 javëve të para të aksionit, nga rezultatet e hetimit tatimor janë aktivizuar 671 subjekte, të cilat kishin kaluar në status pasiv.
Transferimi i tatimpaguesit në regjistrin pasiv, mundësohet, në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
- a) nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
- b) nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
- c) deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe kjo e fundit e ka miratuar pezullimin, i cili i është njoftuar edhe administratës tatimore.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.