11 ndërhyrje thelbësore në Tiranë – Cilat janë lagjet që do të përfitojnë nga projekti
Disa lagje të kryeqytetit do të pësojnë transformim, për shkak të krijimit të 11 mikrohapsira publike. Bashkia e Tiranës ka parashikuar vënien në jetë të projektit me vlerë 100 milion lekë që ka si qëllim krijimin e hapësirave publike dhe rikonceptimin e atyre ekzistuese. Në buxhet është detajuar se faza e parë e projektit do të nisë me 11 hapësira publike në pole tashmë të krijuara, të dukshme dhe me impakt të menjëhershëm, ndërsa në të ardhmen projekti mund të vazhdojë duke u zgjeruar drejt brendësisë së lagjeve dhe periferisë.
Konkretisht parashikohen 3 tipologji ndërhyrjeje në mikrohapësirat publike: Hapësirat publike të ndërmjetme, ritrajtim i hapësirave ekzistuese dhe hapësirat publike mes pallateve. Hapësirat publike të ndërmjetme transformojnë hapësirat e mbipërdorura dhe të panevojshme për qarkullimin e makinave në hapësira publike. Këto hapësira publike rikonfigurojnë kryqëzime që janë të pasigurta apo të papërdorura, duke i kthyer në një landmark të qytetit e duke impaktuar lagjen e bizneset përreth.
Në këtë projekt janë përfshirë 7 hapësirat publike të ndërmjetme si: Kafe Flora, Kont Urani, Selvia, Medreseja, Stadiumi Dinamo, blloku Partizani. Sa i përket ritrajtimit të hapësirave publike ekzituese, në këtë projekt janë: Sheshi Kasharit, Lulishtja Cajupi, 5 Maji. Ndërsa në hapësirat publike mes pallateve, do të ndërhyhet konkretisht në bllokun e banimit Laprakë dhe Selitë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.