112 milionë euro kredi përmes garancisë sovrane – Kush përfitoi dhe çfarë risku mori përsipër buxheti

Në qershor të vitit të kaluar, qeveria vuri në dispozicion 26 miliardë lekë përmes dy garancive sovrane në bashkëpunim me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së bizneseve, me qëllim që të kishin likuiditetin e nevojshëm për të financuar rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të prekur nga situata covid-19. Në garancinë sovrane 1 u vendosën në dispozicion 11 miliardë lekë për bizneset me qëllim të paguanin pagat e punonjësve. Kjo paketë u lëvrua në masën rreth 48 %, në vlerë 5.33 miliardë lekë dhe interesi i biznesit në tërësi ishte i ulët.
Për Paketën e Parë të Garancisë Sovrane, shteti përmes Ministrisë së Financave garantoi 100% principalin e huasë në rast mos shlyerje nga biznesi, ndërsa ka marrë përsipër të rimbursojë interesat e huave që do të trajtohen në Marrëveshje. Paketa e dytë prej 15 miliard lekësh garantoi huadhënien për biznese që kishin nevojë për kapital qarkullues dhe investime.
Afati për aplikim për kredi përmes garancisë shtetërore u shty deri në fund qershor 2021. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2020 janë lëvruar kredi permes kësaj skeme në masën e 8.33 miliard lekëve, apo 56% e planifikimit. Sipas Marrëveshjes së Garancisë Sovrane II, Ministria e Financave garanton 60% të principalit të Huasë, ndërkohë nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga Huatë që Banka u lëvron Bizneseve.
Afati maksimal i huas përcaktohet në 5 vite. Sipas të dhënave të Fianncave, deri në fund te muajit dhjetor 2020, në total kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit. Por ndërsa afati për aplikimin e bizneseve ka mbaruar ne Qershor të këtij viti, duket se kanë filluar problematikat në shlyerjen e dtyrimeve dhe marrëdhëniet banka-biznes-shtet. Për këtë qëllim qeveria po “lëviz gurët” përmes krijimit të Agjencisë së Kthimit të Garancive dhe Krevide, për të siguruar në shlyerjen e detyrimeve të bizneseve.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.