12 vatra të reja zjarri në 24 orë, të paktën 43 hektarë të djegur – Të prekura edhe Tirana e Rradhima

Emergjencat Civile kanë raportuar mbi situatën e zjarreve në vendit tonë për 24 orët e fundit, kur janë shënuar 12 vatra zjarri të shtrira përgjatë gjithë vendit. Me përjashtim të të paktën 43 hektarëve të djegur nga flakët, zjarret nuk kanë shënuar asnjë dëm tjetër në banesa ose viktima.
Nga 12 vatrat e reja, 11 prej tyre janë shuar, ndërsa një është ende aktive. Shumica e zjarreve ka rënë në hapësira me shkurre dhe kullota, ndërsa disa prej tyre ndodheshin pranë zonave të banuara.
Dëmet më të mëdha nga zjarri janë shënuar në zonën e Tepelenës, ku një zjarr në kurorën e gjelbër të qytetit u riaktivizua dhe dogji 12 hektarë shkurre, 120 ullinj dhe 100 koshere bletësh.
10 hektarë sipërfaqe me shkurre dhe ferra janë djegur edhe në qarkun e Shkodrës, në fshatin Rronza pranë Vaut të Dejës. Për shuarjen e këtij zjarri janëë angazhuar edhe forcat e ushtrisë.
Ndërkohë, në Vlorë pranë zonës së bregdetit janë djegur 10 ha me shkurre e kullota në fshatin Rradhimë.
Zjarret këtë verë kanë prekur edhe kryeqytetin, ku në zonën e Unazës së Re, temperaturat e larta i kanë vënë flakën një sipërfaqeje rreth 2 dynym me shkurre.
Në operacionet e shtrira në Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Korçë, Fier dhe Dibër, janë angazhuar 115 zjarrfikës me 13 automjete, 50 forca ushtarake, 79 vullnetarë si edhe disa helikopterë.
Emergjencat Civile raportojnë se situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm për shkak të rrezikut të lartë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.