15.1 mld lekë më shumë ardhura – Treguesit fiskalë për 7-mujorin me suficit 2.9 mld lekë

Financat publike gjatë gjithë këtij viti kanë performuar pozitivisht duke treguar stabilitet. Edhe pse gjysma e parë e këtij viti korrespondoi me periudhë parazgjedhore apo dhe me mbylljen e marrëveshjes me FMN, duket se qeveria është treguar e matur në menaxhimin e financave publike.
Kështu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat në buxhetin e shtetit nga administrata fiskale për 7 mujorin rezultojnë 15.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Sipas treguesve fiskalë për këtë periudhë, të ardhurat totale në 7 muaj janë realizuar në masën 248.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 7 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 168.3 miliard lekë, të ardhurat nga taksa tatimore janë realizuar në vlerën 230.3 miliard lekë.
Sipas këtyre treguesve, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e shtatë të vitit 2017, arritën në rreth 245.4 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 30.7 miliardë lekë më shumë. E gjithë kjo periudhë fiskale është shoqëruar me një suficit buxhetor prej afërsisht 2.9 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.