16-17 maj 2018, Shqipëri-Kosovë bashkë për minierat – Prioritet, legjislacioni dhe politikat minerare
Shqipëria dhe Kosova do të bëhen bashkë për prezantimin e industrisë minerare të dy vendeve në Konferencën Ndërkombëtare që do të zhvillohet në datat 16-17 maj 2018.
Konferenca me titull “Sektori Minerar dhe resurset minerale Kosovë-Shqipëri” do të zhvillohet në Prishtinë dhe vjen si rezultat i punës së përbashkët të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në Shqipëri dhe Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë.
Në këtë eveniment mund të marrin pjesë të gjitha institucionet minerare dhe akademike nga e gjithë bota. Përmes kësaj konference të dy vendet do të prezantojnë industrinë minerare, të fokusuar në hulumtimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e resurseve minerale në Kosovë dhe Shqipëri.
Legjislacioni, politikat minerarE dhe mundësitë për zhvillim në të ardhmen do të jenë edhe disa nga pikat kyçe ku do të zhvillohet diskutimi. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të paraqesin edhe idetë e tyre përmes prezantimeve, ndërmarrjeve minerare vendore dhe të huaja apo edhe institucioneve të tjera.
Drejtoi i AKBN-së, Adrian Bylyku priti në kuadër të bashkëpunimit për këtë nismë edhe një delegacionin të KPMM-së, të udhëhequr nga kryetari i saj Musa Shabani.
Sipas Bylykut, bashkëpunimi midis dy vendeve në këtë sektor duhet të zgjerohet duke hartuar plane afatgjata të zhvillimit të industrisë së minierave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, nga ana tjetër, Shabani shprehu propozimin e tij që kjo konferencë të bëhet një organizim i përvitshëm.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.