“175” vjet biznes- Forumi Ekonomik i Dhomave Shqipfolëse
Me rastin e 120 vjetorit të themelimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe 55 vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike të Kosovës u organizua Forumi Ekonomik i sipërmarrjes me temë “Sfidat e integrimit ekonomik – Bashkëpunimi ekonomik i sipërmarrjes shqiptare” në qytetin e Prizrenit.
Me qëllimin dhe dëshirën për të avancuar bashkëpunimin ekonomik midis sipërmarrjes së Kosovës dhe Shqipërisë, ky forum u organizua nën kujdesin e Nikolin Jakës, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Të pranishëm në këtë takim ishin dhe përfaqësues nga Doganat e Kosovës dhe Shqipërisë, Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit nga Kosova e Shqipëria, Administrata Tatimore e të dyja vendeve, si edhe përfaqësues së Odës Ekonomike Veriperëndimore nga Maqedonia, sipërmarrës nga lugina e Preshevës dhe biznesmenë të sektorit prodhues nga të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Gjatë fjalës hapëse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gerxhaliu u shpreh se duhen vendosur objektiva, të cilat synojnë komunikimin dhe kthimin e besimit të humbur tek sipërmarrja për një bashkëpunim reciprok.
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Jaka kërkoi që qeveritë e të dyja vendeve të krijojnë mekanizma realë për suportimin e sipërmarrësve në trevat shqipfolëse.
Pas diskutimit të mbajtur nga pjesëmarrësit në këtë takim, aktiviteti u pasua me takime në mes të bizneseve pjesëmarrës si dhe një drekë të përbashkët pune.
Olta Maçolli/ RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.