177 milion euro për koncesionet në 2021-shin – Rruga e Arbrit dhe shëndetësia u kushtojnë më shumë taksapaguesve
Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë afro 177 milionë euro për kontratat e Partneritetit Publik-Privat gjatë vitit të ardhshëm. Në projektbuxhetin e hartuar nga qeveria, thuhet se për vitin 2021 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP-të, kapin vlerën rreth 14.5 miliardë lekëve. Bëhet fjalë për detyrimet e qeverisë ndaj 13 kontratave aktive koncesionare, ku pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për kontratën e ndërtimit dhe operimit të rrugës së Arbrit, afro 4.1 miliardë lekë.
Katër koncesionet në fushën e shëndetësisë po ashtu kanë një kosto të lartë pagesash prej 4.6 miliardë lekësh në toal, kontrata e skanimit në dogana parashikohet të marrë 1.6 miliardë lekë gjatë vitit 2021, si dhe 1.4 miliardë lekë janë parashikuar të shkojnë për PPP-në e ndërtimit të landifllit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë.
Sipas draftit, në buxhetin e vitit 2021 është respektuar rregulli fiskal që detyrimet kontraktuale të mos tejkalojnë kufirin 5 për qind të të ardhurave vjetore të parashikuara, pasi pagesat vjetore neto të planifikuara arrijnë në nivelin 3.7 për qind. Ndërkaq, pagesat faktike në total për 8-mujorin 2020 për kontratat koncesionare, rezultojnë në 6 miliardë lekë ose 77.1% e planit vjetor 2020, të ndryshuar.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.