18 projektet që do të zbatohen në Tepelenë – Ja çfarë përfshijnë

Pas 15 investimeve të përfunduara në Tepelenë, pritet të zbatohen edhe 18 projekte të reja në këtë zonë. Projektet janë prezantuar nga krybashkiaku i Tepelenës , Tërmet Peçi, ku i ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama.
Ato përfshijnë investime që nga rrjeti i ujësjellësit, i cili pritet të nisë ndërtimin në muajin qershor e deri tek ato infrastrukturore të cilat jo vetëm do t’iu shërbejnë banorëve të zonës, por do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit. Ndërkohë, më tej pjesë e tyre janë edhe ndërtimi i rrugëve të brendshme të Kalasë së “Ali Pashë Tepelenës” si dhe sistemimi i hyrjes së saj.
Më konkretisht parashikohen të kryhen ndërhyrje në rrugët: “Salari Duka”, “Tafil Buzi”, “Dragot”, “Pasarelë”,”Loti i Dytë”, si dhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Nivicë” dhe shkollën 9-vjeçare “Dukaj”. Bypass-I I Tepelenës është edhe një ndër projektet më të rëndësishme që do të zbatohet në këtë zonë.
Po ashtu, në vijim të zbatimit të këtyre projekteve është parashikuar të bëhet edhe rikonstruksioni i shkollave 9-vjeçare në Nivicë dhe Dukas. Më tej, shtëpia e “Ali Pashë Tepelenës” është një tjetër objekt që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Duke u ndalur më tej gjatë prezantimit, kryebashkiaku i Tepelenës shtoi se do të bëhet i mundur edhe zhvillimi i parkut eolik në zonën e Majkoshit, një investim që kap vlerën e 15 milionë lekëve.
Ndërkohë, një tjetër investim do të shkojë për parkun turistik rajonal në Bënçe, Kurvelesh në kuadër të zhvillimit të agro-turizmit, si një sektor që pritet të ketë shumë peshë në këtë zonë.
Po ashtu, ndërtimi i një hoteli-resort në zonën e Ujit të Ftohtë i cili do të hapë shumë vende pune është edhe një ndër investimet më të rëndësishme që do të bëhet në këtë zonë.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.