185 mijë inspektime nëpër biznese – Reforma parashikon uljen me 74%, ja kostot 3-vjeçare në buxhet
Reforma në inspektorate, që parashikon grupimin e strukturave ekzistuese në 6 inspektorate të mëdhenj, synon uljen e numrit të inspektimeve pranë bizneseve me 74%. Aktualisht pranë operatorëve të biznesit ushtrohen rreth 185 mijë inspektime në vit, ndërkohë që pas ndryshime strukturore ky numër pritet të zbresë në rreth 48 mijë inspektime në vit. Tashmë, Inspektorati Qendror ka nxjerrë për konsultim publik draftin e propozuar, ku përveç objektivave, bëhen me dije dhe kostot financiare, me të cilat reforma do të shoqërohet për buxhetin e shtetit.
Sipas parashikimeve, për vitin 2019 aplikimi i reformës pritet të ketë një kosto prej rreth 774 milion lekësh, në 2020-ën, 1.2 mld lekë, ndërsa në vitin 2021, 360 milion lekë. Këto para, parashikohet të shpenzohen për zgjerimin e institucionit si dhe për ndërtimin e një godine të re që do të shërbejnë për grupimin e të gjithë inspektorateve në një ndërtesë të përbashkët.
Ndërkaq, reforma parashikon të ketë ndikim ekonomik pozitiv për bizneset, ku përfshihet krijimi i një klime të favorshme për zhvillimin e konkurrencës së ndershme, garantimin e rregullave të njëjta në treg, rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi. Një nga ndryshimet e rëndësishme strukturore është përfshirja e hetimit tatimor dhe doganor në strukturat inspektuese, duke qenë se propozohet që këto struktura të jenë pjesë e Inspektoratit Shtetëror të Ekonomisë.
Inspektime në biznese:
Aktualisht 184 217 inspektime/vit
Pas reformës 47 610 inspektime/vit
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.