2.2 milionë pemë në lagunën e Kune Vainit, Klosi: Do ta shpëtojmë nga erozioni
Laguna e Kune-Vainit do të ketë një pyllëzim të plotë dhe falë projektit për rikuperimin e lagunës do të shpëtojë një pjesë e madhe e saj nga erozioni dhe përmbytjet. Projekti parashikon që deri në 2020 të mbillen 2 milion e 200 mijë pemë.
Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë lancimit të zbatimit të projektit “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem”, tha se projekti do ti shërbejë edhe faunës.
“Projekti që kemi ardhur sot që të lancojmë është një nga projektet që do të shpëtojë në masën më të madhe një nga perlat e Shqipërisë, që është laguna e Kune Vainit dhe projekti ka për qëllim të krijojë një kanal i cili do të mbrojë lagunën, do të sjellë ujin e kripur dhe po ashtu një pjesë shumë e rëndësishme e projektit do të jetë mbjellja e pemëve. Brenda vitit 2020 do të mbjellim 2 milion e 200 mijë pemë dhe projekti i Kune Vainit dhe projekti që mbështet të gjithë këtë infrastrukturë do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme. Do të kërkojmë një pyllëzim të plotë të zonës e cila do t’i shërbejë faunës”.
Gjatë inspektimit në terren të zonës ku do të fillojë ndërhyrja Ministri Klosi theksoi se do të ketë një pyllëzim të plotë që bashkë me dy moratoriumet, të gjuetisë dhe të pyjeve do të jenë në funksion të faunës së pasur të zonës.
Projekti “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem“ pritet të përfundojë në fund të vitit 2019.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.