2.8 milionë euro për rikualifikimin urban të Shirokës – Ja çfarë parashikon projekti i FSHZH

Bregu perëndimor i Liqenit të Shkodrës do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve dhe punimeve për rikualifikimin urban të zonës. Projekti që prek sheshin dhe plazhin e Shirokës, si dhe zona të tjera përgjatë liqenit, kanë një fond limit prej 358.5 milionë lekësh.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderit për punimet, të cilat pritet të zgjasin 10 muaj dhe nënkupton përfundimin e rehabilitimit në pranverën e vitit të ardhshëm.
Sheshi është menduar të shtrohet me gurë me 2 ngjyra të ndryshme, duke krijuar pamjen e një qilimi me motive tradicionale.

Krahas ndërhyrjeve në sheshin dhe plazhin e Shirokës, banorët e zonës do të përfitojnë edhe përmes restaurimit të fasadave të dëmtuara të Shirokës, të cilat do të unifikohen në ngjyra dhe materiale.
Mbi ujë në Liqenin e Shkodrës do të ngrihet edhe Muzeu i Liqenit dhe Qendra e Vizitorëve, nga ku turistët do të shohin një pamje panoramike të liqenit dhe maleve.

Ndërhyrjet do të shtrihen edhe në portin ekzistues, ku do të bëhet prishja e strukturave të papërdorura dhe do të pajisjet me zona pushimi, tavolina pikniku, si dhe një platformë për kajakët dhe anijet e vogla.
Punimet e tjera do të prekin kryesisht hapësirat publike të zonës, duke i kthyer nga parkingje në hapësira të gjelbërta për qytetarët. Po ashtu, rëndësi në këtë projekt marrin edhe korsitë e dedikuara për biçikletat.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.