2 mijë pemë në Farkë, Veliaj: Parku i dytë më i rëndësishëm në Tiranë

Liqeni i Farkës është destinacioni i dytë më i rëndësishëm për qytetarët, pas atij të Liqenit Artificial, ku mund të kalojnë kohën e lirë dhe fundjavën larg zhurmës së qytetit. Bashkia së Tiranës po investon për ndërtimin e shëtitores që rrethon liqenin, si dhe në pyllëzim, duke i dhënë Farkës formën e një parku të mirëfilltë.
Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur fazën e dytë të pyllëzimit të parkut, ku vetëm në muajin mars janë parashikuar të mbillen rreth 2 mijë pemë të llojeve të ndryshme.
“Teksa qytetarët shijojnë Parkun e Liqenit të Tiranës, kemi filluar një punë intensive në parqet e tjera që rrethojnë kryeqytetin. Jemi duke punuar në Parkun e Farkës, po mbjellim 2 mijë pemë, çka do ta bëjë këtë hapësirë vendin më tërheqës pas Parkut të Liqenit të Tiranës. Po ashtu, do të jetë një valvul shkarkimi për njësitë 1 dhe 2, për njësinë e Farkës dhe zonën rurale të Tiranës, nga Petrela, Mulleti e Bërzhita”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj, bëri me dije se përveç mbjelljeve që po bëhen në parkun e Liqenit të Farkës, po punohet paralelisht edhe në disa pjesë të tjera të asaj që në Planin e Përgjithshëm Vendor njihet si Pylli Orbital, ndërsa ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë në këtë drejtim.
Veliaj tha se një pjesë e përfaqësive diplomatike dhe donatorë të tjerë vendas i janë bashkuar thirrjeve të bashkisë, duke kontribuar në blerjen e fidanëve që do të bëhen pjesë e projektit për mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.