2 qendra të trashëgimisë kulturore nga Shqipëria në listën finale të kandidatëve për “7 më të rrezikuarat” në Europë

Gjirokastra dhe kisha post – bizantine në Voskopojë e Vithkuq janë përzgjedhur për programin ‘7 më të rrezikuarit’ për vitin 2018. Në hapjen e Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore, Europa Nostra, organizata udhëheqëse e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës Europiane të investimeve kanë shpallur listën 12 e vendeve fituese të programit përmes një paneli ekspertësh në fusha të ndryshme.
Qendra Historike e Gjirokastrës është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore që nga viti 2005. Ajo përfshin disa lloje ndërtimesh, siç janë ndërtesat shoqërore dhe publike, vendet e adhurimit dhe banesat, të gjitha të harmonizuara në një panoramë të jashtëzakonshme historike urbane. “Fondacioni Gjirokastra” ishte ai që bëri edhe nominimin për programin “7 më të rrezikuarat” 2018.
Një numër i kishave post-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, që ndodhen në Shqipërinë juglindore, janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit XVII-XVIII në Ballkan dhe janë kryeveprat e stilit post-bizantin. Lufta, plaçkitja dhe fatkeqësitë natyrore kanë dëmtuar seriozisht këtë grup prej 12 kishash.
Kisha e shënuar e Shën Gjergjit në Voskopojë, e cila fitoi çmimin Europa Nostra në vitin 2011 për ruajtjen e saj të jashtëzakonshme, përballet me kërcënimin e vjedhjes dhe thekson urgjencën me të cilën këto kisha të shquara duhet të mbrohen. Emërimi për programin “7 më të rrezikuara” 2018 u paraqit nga Fondacioni “The Past for the Future”.
Trashëgimitë e tjera të rrezikuara të përzgjedhura nga 10 vendet europiane, përfshirë edhe Shqipërinë, janë:
- Qendra Historike e Gjirokastrës, Shqipëri;
- Kishat post-bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq, Shqipëri;
- Qendra Historike e Vjenës, Austri;
- Fabrika e Përgatitjes së Qymyrit në Beringen, Belgjikë;
- Monumenti i Buzludzhës, Bullgari;
- Rrjeti i Sistemeve të Teleferikut “Aerial” në Chiatura, Gjeorgji;
- Manastiret e “David Garejit dhe Hermitage”, Gjeorgji;
- Kalaja Sammezzano, Toscana, Itali;
- Kazinoja “Konstanta”, Rumani;
- Vendet Parahistorike të Rock-Artit në provincën Cadiz, Spanjë;
- Jetimorja greke “Principo”në Ishujt Princes, Turqi;
- Fabrika e Akullit “Grimsby”, Britani e Madhe.
Disa nga këto vende janë në rrezik për shkak të neglizhencës, të tjerat për shkak të mungesës së resurseve ose ekspertizës.
12 monumentet dhe vendet janë përzgjedhur duke marrë parasysh trashëgiminë e tyre dhe vlerat kulturore, si dhe rrezikun e afërt me të cilin përballen. Angazhimi i komuniteteve lokale dhe angazhimi i palëve publike e private për ruajtjen e këtyre vendeve u konsideruan gjithashtu vendimtare. Një tjetër kriter kryesor ishte potenciali i këtyre vendeve për të vepruar si një katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik.
Por, këto 12 vende nuk do të përfitojnë vetëm ruajtjen e monumenteve kulturore. Sipas dekanit të Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, investimi do të gjenerojë përfitime socio-ekonomike në nivel lokal, rajonal e kombëtar.
Ndërkohë, lista përfundimtare e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë do të zgjidhet më 15 mars nga Bordi i Europa Nostra.
Programi ‘7 më të rrezikuarit’ nisi punën në janar të vitit 2013 nga Europa Nostra me Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve si partner themelues dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës si partner shoqërues.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.