2 risitë e rivlerësimit të pronave, Lame: Si mund të aplikoni. Përfitojnë edhe banesat në proces regjistrimi

Kreu i Agjencisë së Kadastrës Artan Lame u bën apel qytetarëve që të bëjën rivlerësimin e banesave. Procesi do të zgjasë deri në fund të muajit shtator.
“Siç jeni në dijeni, nga ditët e para të janarit, ka filluar edhe aplikimi i reformës më të fundit të qeverisë Shqiptare, reforma e shërbimeve “ON LINE” përmes platformës “e-Albania”.
Kjo bën të mundur që, aplikimi për rivlerësimin, të kryhet edhe “on line” direkt nga çdo i interesuar. Gjej rastin që të ftoj qytetarët që masivisht t’i drejtohen kësaj mënyre shërbimi, duke aplikuar vetë direkt nga kompiuterat apo telefonet celularë personalë.
Eshtë e natyrshme ngarkesa e ditëve të para të aplikimit të kësaj reforme, që kërkon përshtatjen edhe të sistemeve të punës së vetë institucioneve, por në mënyrë të veçantë kërkon ambientimin e qytetarëve me këtë mënyrë aplikimi” tha Lame.
Sipas tij, e gjithë procedura e përpunimit të të dhënave nga ana e punonjësve tanë, zgjat 5 ditë pune.
Lame evidentoi se procesi i rivlerësimit kësaj rradhe do të ketë këto dy risi:
-Do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetaret.
-Do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces rregjistrimi në Kadastër.
Kjo risi e dytë, sipas Lames, është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluiznit dhe ish-ZRPP-së.
“Me qëllim që të shmangim ngarkesën e madhe të këtyre ditëve, nga ana jonë është ndërtuar një kalendar për shpërndarjen e këtij procesi përgjatë muajve në vijim. Kështu, përgjatë muajve shkurt dhe mars do të kryhen procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që ju shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre. Në vijim deri në muajin shtator, kur mbyllet ky proces, do të vijojmë shërbimin për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar” vijoi Lame.
Më tej, ai evidentoi se nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim fitimit në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit.
Nëpërmjet këtij ligji përfitojnë individët dhe personat juridik për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, si ato të regjistruara dhe ato në proces regjistrimi.
Nëpërmjet këtij ligji për individët ofrohet mundësia që rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të bëhet nga:
-Agjencia Shtetërore e Kadastrës ose,
-Eksperti i licensuar per vlerësimin e pasurise se paluajtshme
Tatimi i parashikuar është:
Për Individët
3% e diferencës midis vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet e referencës, me cmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjisitruar (kur rivlerësimi bëhet nga ASHK) dhe;
3% e diferencës ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi dhe vlerës së pasurise se aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar (kur rivlerësimi bëhet nga një ekspert privat i licensuar).
Për Personat juridik
5% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.