2 vjet pas mbërritjes së Uber në Kroaci vijojnë konfliktet dhe debatet mes kompanisë, qeverisë dhe taksistëve

E mbytur nga vapa e muajve të verës, në Kroaci javët e fundit është folur shumë për nevojën për të rregulluar aktivitetin e kompanisë së transportit.
Ministrat e Transportit dhe të Ekonomisë e kanë pohuar disa herë se e konsiderojnë të jashtëligjshme veprimtarinë e Uber dhe i kanë kërkuar gjykatës të ndalojë aplikacionin për celularë, por kjo kërkesë ka shkaktuar reagimin e publik i cili duket se mbështet shërbimin e ofruar.
Publiku mbështet mbi të gjitha tarifat e ulëta të shërbimeve Uber. Një udhëtim drejt aeroportit Zabrebit nis nga më pak se 10 euro, ndërsa me taksi shuma që do të duhet të paguhej do të ishte jo më pak se 15 euro në një kompani të lirë dhe rreth 20-30 euro me pjesën tjetër të kompanive që operojnë në qytet.
Qartësisht konkurrenca e Uber ka ulur ndjeshëm punën e taksive dhe këto të fundit kanë dalë në dy protesta javët e fundit, duke bllokuar rrugë e autostrada. Në të shkuarën janë raportuar edhe raste të dhunimit të shoferëve të Uber nga taksistët, duke vënë në rrezik edhe pasagjerët.
Megjithë situatës dhe debatit të nxehur për këtë çështje, ligjvënësit nuk mund të nxitojnë për të hartuar një legjislacion që mbulon këtë shërbim, pasi çdo gjë duhet konsultuar me rregullat e Bashkimit Europian.
Besohet se parlamenti do të duhet të vendosë për një liberalizim të shërbimit taksi, duke e detyruar kompaninë të regjistrohet për të marrë licencën.
Megjithatë ligji nuk do të dalë para fundit të Tetor, ndërsa parashikimet më pesimiste e shtyjnë këtë afat në nëntë muaj.
Uber, edhe pse pritet të dalë fitimtare në këtë situatë, nuk është e kënaqur, pasi marrja e një licence taksi do të nënkuptonte heqjen dorë nga shumë veçori që e bëjnë atë të dallueshme. Klientët do të duhet të paguanin sipas rrugës së përshkuar dhe sipas llojit të automjetit, ndërsa shoferët do të duhet të merrnin një klasë tjetër patente, si edhe t’i nënshtroheshin një sërë ekzaminimesh shëndetësore.
Aktualisht Uber operon në Zagreb dhe në bregdetin e Kroacisë me skafe. Prej fillimit të shërbimit në fund të Tetorit të vitit 2015, Uber ka krijuar 2 mijë vende të reja pune dhe numëron mbi 100 mijë pasagjerë.
Angelo Haruni/SCAN
Chystáš sa na dovolenku do Chorvátska? Vyskúšaj v Splite, Dubrovníku alebo na Hvare UberBOAT! ? Viac info tu: t.uber.com/croatia
Posted by Uber on Wednesday, June 28, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.