20 mijë fuoristrada Jaguar pa shoferë për flotën e re robotike të Waymo
Kompania bijë e Google, “Waymo” ka njoftuar një marrëveshje mbi 1 miliard dollarëshe me prodhuesin e automjeteve “Jaguar” për blerjen e 20 mijë fuoristradave që nuk kanë nevojë për drejtues mjeti.
Kjo përbën një shtysë të madhe nga kompania që teston prej vitit 2016 automjete që vetëdrejtohen. Makinat do të përbëjnë flotën e një shërbimi të ri taksi robotik, i cili pritet të nisë më vonë gjatë vitit.
Waymo kërkon të shtojë teknologjinë e saj në automjetet elektrike të Jaguar dhe do të nisë menjëherë testimet para se të hedhë në qarkullim fuoristradat. Këto makina do të mund të kryejnë 1 milion udhëtime në ditë, me potencialin për t’i shërbyer një komuniteti shumë të madh.
Fillimisht shërbimi taksi do të nisë me automjete të tjera me të cilat kompania ka bërë testime gjatë kësaj kohe, ndërsa vetëm në 2020 do të përdorë edhe Jaguarët. Kompania tha se 20 mijë automjete do të prodhohen posaçërisht gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa më pas mund të bëhen porosi të tjera për të zgjeruar flotën.
Kompania ka testuar teknologjitë e saj në gjashtë shtete të SHBA deri më tani dhe duket se është gati të lërë pas Uber në ofrimin tregtar të këtij shërbimi. Njoftimi vjen në një moment kur Uber po përballet me pasojat e incidentit fatal ku një automjet autonom përplasi një kalimtar në rrugë. Sikur të mos mjaftonte impakti negativ në publik, guvernatori i Arizonas pezulloi licencën e Uber për të testuar teknologjinë e tij në këtë shtet.
Porosia është një lajm i mirë edhe për Jaguar, i cili sapo është futur në tregun e makinave elektrike. Kompania vitin e kaluar shiti në të gjithë botën vetëm 178 mijë automjete, por porosia e Waymo do të ketë një efekt pozitiv në të ardhurat e prodhuesit, pasi fuoristradat I-Pace nisin nga një çmim prej 70 mijë dollarësh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.