20 mld lekë mallra më shumë drejt BE-së. Thellohet deficiti me rajonin – Gjeografia e tregtisë së jashtme në 2017
Gjatë vitit 2017 Shqipëria pati një rritje të konsiderueshme të eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Europian, me 11%, ose 20.8 miliardë lekë më shumë. Meritë në këtë rritje kanë sidomos marrëdhëniet tregtare të forcuara mes Shqipërisë dhe disa vendeve në veçanti si Italia, Spanja dhe Gjermania.
Eksportet drejt Italisë, vend i cili është edhe partneri kryesor tregtar, arritën në 146 miliardë lekë, në rritje me 9.9% në krahasim me vitin 2016. Teksa kjo është rritja më e madhe në terma neto, në përqindje janë eksportet drejt Spanjës që kanë shënuar përmirësimin më të madh, duke u rritur me 87.4% në gati 15 miliardë lekë.
Edhe me vendet e rajonit ka patur një rritje të shkëmbimeve tregtare në të dyja kahet, veçanërisht me Kosovën. Eksportet shqiptare drejt Ballkanit Perëndimor kanë arritur vlerën e të paktën 40 miliardë lekëve, në rritje me 7 miliardë lekë.
Por pavarësisht faktit se janë zgjeruar importet drejt të gjitha vendeve me përjashtim të Kroacisë, po ashtu ka edhe një rritje të importeve, të cilat kanë arritur në 50.3 miliardë lekë. Kjo ka thelluar deficitin tregtar me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë është mbi 10 miliardë lekë.
Po ashtu në favor të rritjes së deficitit është zhvilluar edhe tregtia me vende si Turqia dhe Zvicra. Të dyja këto vende kanë përfituar duke rritur ndjeshëm eksportet drejt vendit tonë dhe duke blerë më pak mallra nga Shqipëria në krahasim me 2016-ën.
Turqia e mbyll vitin si partneri i dytë më i madh i Shqipërisë në importe, duke kaluar si Gjermaninë, ashtu edhe Kinën, falë rritjes së blerjeve në “veshje dhe këpucë”, si edhe makineri e produkte kimike.
Sa i takon kontinenteve, ka një rritje të ndjeshme shkëmbimesh me vendet e Afrikës. Importet nga këto vende, ndikuar veçanërisht nga Egjipti dhe Algjeria, janë rritur me rreth 47% në mbi 12.2 miliardë lekë. Një rritje e ngjashme në terma relativë ka patur edhe në eksportin e mallrave drejt kontinentit afrikan, një rritje me 33.8%, për të arritur një total prej 1.8 miliardë lekësh.
Me dy kontinentet amerikane ndërkohë ka një rritje të eksporteve, ndikuar ekskluzivisht nga dërgesat drejt SHBA-së. Në hyrje, importet nga këto shtete në total janë ulur, por vihet re një rritje e fortë me 90,3% me Kanadanë dhe një rënie me 22.1% me Shtetet e Bashkuara.
Në kontinentin aziatik, importet nga Malajzia janë dyfishuar, duke arritur vlerën e 1.7 miliardë lekëve. Gjithashtu vihet re një shtim i shkëmbimeve tregtare me Izraelin dhe Japoninë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.